Vdekja e qenit!

schedule11:54 - 3 Dhjetor, 2019

schedule 11:54 - 3 Dhjetor, 2019

Ishte shqetësuese të mësonim se gjatë tragjedisë së fundit, forcat shqiptare të sigurisë nuk kishin asnjë qen kërkimi në operacionet e shpëtimit. Kemi një institut për qentë, por që paska dalë jashtë loje, sepse mendohet vetëm për “diversantët”. Kështu e ka nisur reagimin e tij ish-Drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme Kastriot Dervishi.

Në fakt tërmeti i 26 nëntorit ka nxjerrë në pah gjithë problematikën e institucioneve shqiptare sidomos të emergjencave civile.

Tërmeti konfirmoi mungesën e theksuar se logjistikës nga ekipet shqiptare duke na treguar edhe njëherë se sa të papërgatitur jemi në raste emegjencash të tilla.

Madje, edhe pse gjatë ditëve të operacionit të kërkim-shpëtimit, nuk kishim asnjë qen që të kërkonte për trupa nën rrënoja, buxheti i shtetit harxhon shuma të konsiderueshme për përgatitjen, trajtimin dhe ushqimin e tyre.

Më tej Dervishi shkruan:

“Në harkun e 7 vjetëve e gjysmë, ngaqë depoja e Arkivit të Ministrisë së Brendshme ndodhet në këtë mjedis, së paku 1-2 herë në javë kam qenë në shkollën e qenve në periferi të Tiranës. Kam parë ecurinë e punës së njerëzve të përkushtuar, pasionin e të cilëve e fshiu fare politika e injorantëve me tekat e saj. Në vitin 2007 shkolla kaloi në varësi të Akademisë së Policisë. U krijuan praktika të reja pune. Jo vetëm që institutet që kishin nevojë “furnizoheshin” me “lëndën” e shkollës, por edhe pjesa e papërshtatshme shitej. Vendosja e Saimir Tahirit në krye, ishte një fatkeqësi e madhe për ministrinë dhe pjesët përbërëse të saj. Tahiri që e kujtonte veten polic, veprimtarinë e tij e mbështeti te idetë e dala boje të disa kuadrove të pavlefshëm të komunizmit, të cilët i mori si këshilltarë. Policia u politizua ndjeshëm, u orientua drejt falsitetit, verbërisë politike, shpërndarjes se lajmeve ordinere (duke shkelur edhe rregullat e informacionit të klasifikuar) dhe spektaklit. U rikthyen në punë oficerë fanatikë komunistë, u luftua elementi i përndjekur politik, profesionistët, etj. Filluan panairet, ndërsa disa tyryfyçka partie që u bënë drejtore në ministri quanin “punë” spotet e llojit me merimanga për fëmijë në mure, apo shpërndarjen e citateve “Jemi me Policinë e Shtetit”. Një polici tërësisht e kalbur, por e lyer mirë nga jashtë, mbahej vetëm nëpërmjet mosushtrimit të detyrës, raportit jo korrekt me krimin si dhe nëpërmjet propagandës. Konkluzioni ishte i qartë: lulëzim i hatashëm i kriminalitetit, kthim i vendit në prodhues të lëndëve narkotike, etj.
Edhe shkolla e qenve nuk mund t’i shpëtonte këtij degradimi. Menjëherë u hoq nga puna shefi i saj. Shkolla kaloi në varësi të Drejtorisë së Kufirit, duke rikthyer një praktikë të kohës së komunizmit, se atë stil njihnin ndryshqet që solli partia. Se për këta ishte e paimagjinueshme të shërbejnë qente për kërkimin e drogës apo shpëtimin e njerëzve në rrënoja apo dëborë. Janë rritur me mitin e “kufitarit trim” që lufton “diversantët”.
U transferuan gjithë oficerët trajtues në detyra të tjera (a thua se kishte profile të ngjashme), duke e nxjerrë brenda pak vitesh realisht jashtë përdorimit. Nisur nga nga fakti se këta lloje nuk dinë të qeverisin, paaftësinë e tyre e mbushin me keqqeverisje e propagandë. Vëreni këtë foto të vitit 2016. Ministri Tahiri takon qenin. Këtij madje i kanë vënë një “samar” me fjalën “Policia”. Një veprim qesharak ky pasi qentë e këtij lloji nuk kanë nevojë për fanela dhe samarë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!