Varianti Delta po sfidon botën, Azia jug-lindore në kolaps

schedule14:28 - 5 Gusht, 2021

schedule 14:28 - 5 Gusht, 2021

Nga Helen Regan, CNN

Të gjitha vendet në Azi po përballen me rritje të rasteve për shkak të përhapjes së variantit Delta.  Kombet e Azisë Juglindore që arritën të mbajnë në kontroll shpërthimet vitin e kaluar tani po luftojnë me spitalet e tejmbushura me pacientë, mungesën e shtretërve dhe pajisjeve të oksigjenit.

Ata gjithashtu kanë rivendosur bllokimet, duke mbyllur fabrikat në qendrat kryesore të prodhimit dhe duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve. Shumë prej qytetarëve të zhgënjyer nga masat kanë shpërthyer në protesta, kryesisht në Malajzi dhe Tajlandë.

 

Ndërsa vendet më të pasura, si Mbretëria e Bashkuar dhe Singapori,  kanë regjistruar rritje të rasteve, pavarësisht se kanë vaksinuar më shumë se gjysmën e popullsisë. Vietnami ka vaksinuar plotësisht më pak se 1% të popullsisë së tij, Tajlanda rreth 5%, Filipinet 7.2%dhe epiqendra e virusit Indonezia 7.6%, sipas Our World in Data.

Më shumë se një vit e gjysmë pas pandemisë, varianti më ngjitës Delta po ekspozon dobësitë e kombeve me norma të ulëta të vaksinimit.

Vietnami

Ndoshta në asnjë vend tjetër në Azinë Juglindore kjo përmbysje nuk ishte më e dukshme sesa në Vietnam. Vitin e kaluar, vendi u cilësua si shembull në mbajtjen në kontroll të virusit falë një strategjie agresive të kontrollit të hershëm të udhëtarëve në aeroporte dhe një programi të rreptë karantine dhe monitorimi, raporton abcnews.al

Për një vit e gjysmë, banorët kanë qenë në gjendje të jetojnë një jetë normale dhe ekonomia u rrit me 2.9% në 2020, sipas Bankës Botërore.

 

Por që nga fundi i prillit, Vietnami ka raportuar rritje të rasteve. Të mërkurën, Vietnami raportoi 7,623 raste të reja. Në total, vendi ka regjistuar 177,813 raste, më shumë se 85% e atyre janë raportuar vetëm muajin e kaluar, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Nga 2,327 viktima, rreth gjysma prej tyre u raportuan gjatë muajit të kaluar.

Qeveria ka vendosur bllokime të rrepta në kryeqytet, Hanoi, dhe qytetin Ho Chi Minh në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejshme të virusit. Deri më tani, vetëm 0.6% e popullsisë është vaksinuar plotësisht, sipas JHU.

 

Indonezia

Kombi i katërt më i populluar në botë, Indonezia  tejkaloi Indinë si epiqendra e Covid në Azi, dhe shpërthimi ka qenë shkatërrues, me më shumë se 50,000 raste në ditë. Të mërkurën, Indonezia tejkaloi 100,000 viktima nga koronavirusi, duke u bërë  vendi i dytë në Azi me numrin më të lartë të viktimave.

Të mërkurën, vendi regjistroi 1,747 viktima dhe 35,867 raste. Sipas një sondazhi rreth gjysma e 10.6 milion banorëve të kryeqytetit, Xhakarta  mund të jenë infektuar me Covid-19. Ekspertët thonë se Indonezia tani po korr kostot e mos zbatimit të bllokimeve të rrepta, raporton abcnews.al

 

Të hënën, qeveria njoftoi  zgjatje të kufizimeve në disa qytete dhe zona, përfshirë kryeqytetin dhe ishujt Java dhe Bali. Ndërkohë ministri i shëndetësisë së vendit tha se vala shkatërruese kishte arritur kulmin në disa zona dhe autoritetet po synonin  gradualisht rihapjen e ekonomisë së saj në shtator.

 

Malajzia

Pavarësisht bllokimit kombëtar, Malajzia ka shënuar një rritje eksponenciale të rasteve dhe viktimave. Por qytetarët janë të zhgënjyer nga masat. Qindra thyen kufizimet e koronavirusit duke  protestuar në kryeqytetin, Kuala Lumpur, gjatë fundjavës kundër masave të qeverisë dhe i bënë thirrje kryeministrit Muhyiddin Yassin të japë dorëheqjen.

Pas pezullimit të një seance të veçantë të legjislaturës të hënën për shkak të Covid, ligjvënësit e opozitës marshuan drejt ndërtesës së Parlamentit duke kërkuar gjithashtu dorëheqjen e Muhyiddin.

 

Zhgënjimi për rritjen e numrit të viktimave, fushatës së vaksinimit dhe  situatës ekonomike po përkeqëson edhe më shumë  krizën aktuale politike të Malajzisë. Javën e kaluar, mijëra mjekë  protestuan për kushtet e vështira në spitale.

Protesta erdhi ndërsa rastet totale të Covid në Malajzi tejkaluan 1 milion, me vendin që raportoi numrin më të lartë të rasteve ditore. Të mërkurën, vendi raportoi 19,819 raste të reja dhe 257 viktima.

Rreth 22.5% e popullsisë në Malajzi janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19, sipas Our World in Data.

 

Tajlanda

Edhe pse ishte vendi i parë që raportoi rastin e parë të  Covid-19 jashtë territorit të Kinës në janar të vitit të kaluar, Tajlanda arriti të mbante në kontroll koronavirusin falë masave të marra.

Këtë vit, megjithatë, vendi po përballet me një sfidë shumë më të madhe. Pasi u tregua e suksesshme në mbajtjen në kontroll të një valë të dytë që filloi dhjetorin e kaluar, Tajlanda po përpiqet të mbajë në kontroll një valë të tretë. Të Mërkurën, Tajlanda raportoi 20,920 raste, sipas Qendrës për Administrimin e Situatave Covid-19 (CCSA). Tajlanda regjistroi gjithashtu 160 viktima, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 5,663.

 

Të martën, Tajlanda zgjati bllokimin e saj kombëtar deri në fund të muajit për të mbajtur në kontroll përhapjen e Covid. Situata e vështirë ekonomike dhe frika e rritjes së numrit të viktimave për shkak të Covid kanë shkaktuar dëm psikologjik te qytetarët tajlandezë.

Tajlanda  synon të vaksinojë 50 milionë njerëz deri në fund të vitit. Por sipas të dhënave të publikuara nga CCSA, 23% e 70 milionë njerëzve të vendit kanë marrë të paktën një dozë të një vaksine anti-Covid, ndërsa 5% janë vaksinuar plotësisht.

 

Mianmar

Në kufirin e Tajlandës, Mianmar po përjeton situatën më të vështirë nën krizën e dyfishtë të pandemisë dhe grushtit ushtarak. Ekziston një mungesë e dëshpëruar e oksigjenit në vend, me familjet e të sëmurëve që mbajnë radhë për oksigjen ose kërkojnë në internet për trajtimet e Covid.

Banorët po zgjedhin të mjekohen në shtëpi. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se vetëm 40% e pajisjeve të kujdesit shëndetësor  janë në gjendje të mirë. Mianamar ka raportuar 315,118 raste dhe 10,373 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

 

Javën e kaluar, Ambasadorja e Britanisë në OKB Barbara Woodward paralajmëroi se gjysma e 54 milionë banorëve të Mianmar mund të infektohen me Covid-19 në dy javët e ardhshme.

Vendi synon të vaksinojë 50% të popullsisë së saj këtë vit por banorët janë skeptikë ndaj vaksinave. s.ba/abcnews.al