Temperaturat rekord po godasin Evropën Qendrore, me Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën që po përballen me një valë të fortë të nxehti. Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat do të vazhdojnë të rriten gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa një lehtësim i motit pritet nga e hëna.
Në Gjermani, qyteti i Saarbrücken në landin e North Rhine-Westphalia regjistroi të premten një rekord të ri kombëtar prej 41.3 gradë Celsius. Në shumë rajone jugore dhe jugperëndimore të vendit temperaturat u afruan ose tejkaluan 40 gradët.
Shërbimi Federal Meteorologjik Gjerman (DWD) ka lëshuar paralajmërime për “nxehtësi ekstreme” në pothuajse të gjithë territorin e vendit. Sipas DWD-së, fenomenet e tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e krizës klimatike dhe pritet të intensifikohen në vitet e ardhshme.
Për ditën e sotme, parashikohen temperatura nga 36 deri në 41 gradë Celsius, ndërsa në disa zona termometri mund të arrijë deri në 42 gradë. Si pasojë e vapës, temperatura e ujit në lumin Main arriti në 30 gradë Celsius në mesditën e së premtes.
Megjithatë, nga nata e së dielës pritet një ndryshim i motit. Temperaturat minimale do të luhaten mes 18 dhe 25 gradëve Celsius, ndërsa në veri dhe veriperëndim të Gjermanisë parashikohen stuhi, erëra të forta dhe fenomene të fuqishme atmosferike.



