Vala e Omicron, një tjetër shtet bëhet gati për dozën e katërt të vaksinës anti-COVID

schedule08:40 - 25 Dhjetor, 2021

schedule 08:40 - 25 Dhjetor, 2021

Austria po bëhet gati të ofrojë dozën e katërt të vaksinës anti-COVID për punonjësit e shëndetësisë, pas Izraelit.

Bordi Kombëtar i Vaksinimit teksa bëri me dije vendimin tha se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme shkencore për të rekomanduar që doza e katërt të jepet te një kategori më e gjerë njerëzish.

“Në funksion të një vale të afërt Omicron, një doza e katërt vaksinimi mund të ofrohet në zonat me rrezik të lartë (p.sh. personeli i kujdesit shëndetësor i ekspozuar)“, tha bordi.

Austria njoftoi të mërkurën se do të forcojë përsëri kufizimet anti-COVID nga 27 dhjetori për të ngadalësuar përhapjen e Omicron për festa.

Që nga dita e Krishtlindjeve, pushuesve britanikë në Austri do t’u kërkohet të karantinohen nëse nuk kanë marrë 3 doza të vaksinës dhe duhet të tregojnë një test negativ PCR të marrë brenda 72 orëve. Në nëntor, qeveria e Austrisë njoftoi një bllokim të katërt kombëtar dhe tha se do t’i bënte vaksinat të detyrueshme për të gjithë austriakët, duke u bërë kështu vendi i parë i Bashkimit Evropian që e bën një gjë të tillë.

Izraeli ishte vendi i parë që lajmëroi se po planifikon të japë dozën e katërt të vaksinës kundër Covid-19 në kohën kur vendi po përgatitet për një valë të re infeksionesh, të shkaktuar nga varianti Omicron. Ekspertët e pandemisë në Izrael kanë rekomanduar dozën e katërt për punëtorët shëndetësorë dhe personat mbi moshën 60-vjeçare.

Vendimi për dhënien e dozës së katërt është ende në pritje të miratimit nga zyrtarët e lartë shëndetësorë. Megjithatë, zyra e Kryeministrit Bennett i tha BBC-së se po shpreson që ta ofrojë dozën e katërt të paktën katër muaj pas marrjes së dozës së tretë. Izraeli i ka ndaluar udhëtimet nga disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Italinë dhe Kanadanë, në përpjekje për ta luftuar përhapjen e virusit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!