Vaksinimi në Vaun e Dejës, i moshuari -Ramës: Ai që nuk voton për ty mos i bëftë hajër vaksina

schedule10:51 - 31 Mars, 2021

schedule 10:51 - 31 Mars, 2021

Kryeministri Edi Rama ndoqi nga afër procesin e vaksinimit masiv të grupmoshës mbi 70-vjeç në Vaun e Dejës bashkë me deputetin socialist Ilir Beqaj.

Rama u takua me disa nga të moshuarit që e falenderuan për nisjen e këtij procesi duke shprehur dëshirën që ky proces të vazhdojë për të gjithë. Rama tha se do të vazhdohet me të gjithë duke ndjekur një radhë. “Do vazhdojmë edhe me të tjerët por ja me radhë”, tha Rama.

Ndërkohë një i moshuar tjetër pati një mesazh elektoral për kryeministrin. “Ai që nuk voton për ty mos i bëftë hajër vaksina”, tha i moshuari.

Deputeti Beqaj deklaroi se qendra shëndetësore është ndërtuar para pak vitesh pasi më përpara ka qenë e vendosur në një godinë me dërrasa. Ai e njohu kryeministrin me ndryshimet e bëra në këtë zonë me disa banesa të ndërtuara para 50 vitesh.

“Kjo është një qendër shëndetësore e ndërtuar para pak vitesh. Bashkia e Vaut të Dejës ka pasur një qendër shëndetësore me dërrasa. Të gjitha këto çatiat janë barake të ndërtuara para 50 vitesh kur është bërë hidrocentrali. Kanë qenë në kushte shumë të këqija. Janë shpenzuar 850 mijë dollar dhe sot janë të gjitha çatiat e reja”, tha Beqaj./mv.abcnews.al