Vaksina anti-Covid, Izraeli fillon provat tek vullnetarët me 1 nëntor

schedule10:05 - 26 Tetor, 2020

schedule 10:05 - 26 Tetor, 2020

Izraeli pritet që të nisë provat e para të vaksinës anti-Covid tek njerëzit, me 1 nëntor.  Vaksina është duke u zhvilluar nga Instituti i Izraelit për Kërkime Biologjike (IIBR), i cili mbikëqyret nga Ministria e Mbrojtjes e vendit.

Mediat bëjnë me dije se vaksina, e quajtur BriLife është testuar në kafshë të vogla dhe të mëdha që nga marsi. Ndërkohë ministria Izraelite e Shëndetësisë dhe Komiteti i Veçantë Mbikëqyrës për Eksperimentet Mjekësore tani kanë dhënë “dritën jeshile” për të kaluar testet në fazën tjetër, për 80 vullnetarë të moshës 18 deri 55 vjeç, të cilët do të monitorohen për tre javë, nëse do të arrijnë që të krijojnë apo jo antitrupa ndaj koronavirusit, si dhe efekte anësore të mundshme.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Izrael bëhet me dije se fillimisht vaksina do të aplikohet tek dy vullnetarë dhe në varësi të reagimit që do të ketë në trupat e tyre, më pas prova do të shtrihet dhe te vullnetarët e tjerë.

Ndërkaq nëse faza e parë e vaksinës do të kalojë me sukses, pritet që në fazën e dytë ajo të administrohet në 960 persona mbi moshën 18 vjeç, e cila do të fillojë në dhjetor në spitale të ndryshme izraelite.

Ndërsa faza e tretë e vaksinës nëse ajo do të rezultojë e suksesshme do të aplikohet te 30,000 vullnetarë dhe kjo parashikohet të bëhet në pranverë të 2021, që do të jetë dhe faza përfundimtare për të parë rëndësinë e vaksinës dhe rolin e saj që ajo mund të ketë në parandalimin e Covid 19.

Vaksina izraelite është e përbërë nga një virus të parrezikshëm VSV, të cilit i janë shtuar proteina të modifikuara gjenetikisht që i ngjajnë proteinave të spikatur të koronavirusit, të cilat trupi më pas i identifikon si Covid-19, duke rezultuar në prodhimin e antitrupave.

Ndërkohë deri më tani, disa prova të vaksinave janë në faza të ndryshme në të gjithë botën, duke përfshirë Pfizer, Johnson & Johnson, AstraZeneca dhe Moderna, Rusi, Kinë dhe të tjerë.e.su./abcnews.al