Ushtria ukrainase: I kemi shkaktuar humbje të mëdha Rusisë në Kherson

schedule13:25 - 31 Gusht, 2022

schedule 13:25 - 31 Gusht, 2022

Ushtria e Ukrainës ka deklaruar se forcat ruse kanë pësuar humbje të konsiderueshme në jug të vendit, ku një kundërofensivë është duke u zhvilluar në zonën e Khersonit.

Rusia, megjithatë, më parë ka hedhur poshtë çdo përparim nga Ukraina, shkruan BBC.

Ky rajon ka qenë nën kontrollin rus që në ditët e para të luftës. Dhe, publikisht, zyrtarët ukrainas kanë refuzuar të diskutojnë detajet e operacionit.

Luftimet e përtërira vijnë pas javësh sulmesh ukrainase në linjat ruse të furnizimit dhe infrastrukturën thellë brenda territorit të pushtuar, të cilat kanë pasur një efekt destabilizues mbi trupat ruse.

Kjo ka qenë e mundur vetëm për shkak të armëve të sofistikuara të furnizuara nga Perëndimi. Por çdo operacion nuk ka gjasa të jetë i lehtë ose i shpejtë.

Megjithatë, nëse kjo është me të vërtetë një përparim i madh i Ukrainës, mund të jetë një pikë kthese në konfliktin gjashtëmujor që, për javë të tëra, ka mbetur statik. /abcnews.al