Ushtria izraelite njoftoi të hënën se numri i pengjeve në Gaza u rrit në 199, me 291 ushtarë të vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari në një konferencë për media tha: “Kemi qenë në kontakt me familjet e 199 robërve. Ushtria izraelite dhe shteti po punojnë gjatë gjithë kohës për të siguruar lirimin e tyre”.
“Ne po bëjmë çmos dhe po përpiqemi të përcaktojmë vendndodhjen e robërve në Gaza”, tha ai.
Duke njoftuar se numri i ushtarëve izraelitë të vrarë që nga fillimi i luftës u rrit në 291, Hagari tha: “Ne kemi rritur forcat tona rezervë si pjesë e përpjekjeve të luftës”. Ai paralajmëroi Hezbollahun libanez për një “përgjigje vdekjeprurëse nëse ndërhyn në luftën në Gaza”.
“Gaza është fokusi i luftimeve, por nëse Hezbollahu guxon të na sprovojë, përgjigjja do të jetë vdekjeprurëse”, tha Hagari duke shtuar se Izraeli ka “mbështetje të plotë” nga SHBA-ja.
Zyra e Kryeministrit izraelit në një deklaratë për media të hënën tha se: “Nuk ka armëpushim në Gaza”. Dhjetë ditë pas konfliktit me grupin palestinez Hamas, bombardimet izraelite dhe bllokada e Rripit të Gazës kanë vazhduar, ku mbi 1 milion njerëz – pothuajse gjysma e popullsisë së përgjithshme të Gazës – janë zhvendosur.
Gaza po përjeton një krizë të tmerrshme humanitare pa energji elektrike, ujë, ushqime, karburante, ndërsa furnizimet mjekësore po mbarojnë dhe se civilët ikin në jug pas paralajmërimit të Izraelit për evakuimin e zonave veriore.
Konflikti filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza është rritur në 2.750, përfshirë 750 fëmijë. Në Izrael janë vrarë 1.300 persona.


