Ulet me 3 vende indeksi i demokracisë për Shqipërinë, The Economist: Shqipëria me regjim hibrid

schedule19:18 - 22 Janar, 2020

schedule 19:18 - 22 Janar, 2020

Niveli i demokracisë në Shqipëri ka pësuar rënie  gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë që vendi ynë mbetet pjesë e shteteve që kanë një regjim hibrid.

The Economist ka publikuar indeksin në bazë të cilit mat demokracinë në 167 shtete të botës, dhe Shqipëria renditet e 79,  nga  vendi i 76 që ishte në 2018.

Vendi ynë është ulur në renditje, e ndikuar nga kategoria e “pjesëmarrjes politike” në 2019. Ky faktor shpjegohet me mungesën e opozitës, në mbajtjen e zgjedhjeve vendore, në qershor të vitit të kaluar ku mazhoranca mori drejtimin e të gjitha bashkive në vend.

Indeksi i demokracisë vlerëson  5 indikatorë  të cilët janë procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura demokratike politike dhe liritë civile.

Në këto kategori Shqipëria ka pasur përmirësim të vlerësimit në liritë civile, procesi zgjedhor dhe funksionimi i qeverisë. Në rajon Serbia është vendi që renditet më lartë  për sa i përket indeksit të demokracisë duke u përcaktuar një shtet me demokraci në lulëzim.

Ndërsa Shqipëria lë pas në renditje Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën. Indeksi i The Economist vlerëson se në 167 shtete, vetëm 22 prej tyre plotësojnë indikatorët si vende me demokraci të plotë.

Ndërkohë që më shumë se një e treta e popullsisë së botës, ende jetojnë nën sundimin autoritar.

Norvegjia rezulton të jetë vendi me demokratik në botë e ndjekur nga Islanda dhe Suedia./abcnews.al