Udhëtim në malin e Velës, atje ku ende qendrojnë kullat

schedule13:47 - 21 Tetor, 2018

schedule 13:47 - 21 Tetor, 2018

Një grup të rinjsh nga Lezha iu ngjitën malit të Velës një mijë metra mbi nivelin e detit. Ata e bënë këtë udhëtim për ta prezantuar zonën si aset turistik për të huajt dhe vendasit.

Ngjitja në malin e Velës në Lezhë është më shumë se ecje në natyrë apo edhe alpinizëm. Drejt lartësisë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit ishte nisma e një grup të rinjsh për të eksploruar dhe më pas prezantuar këtë aset turistik për aventurieret, alpinistët dhe ata që duan ecjen.

Udhërrëfyesi i grupit është Nikoll Prenga. Duket diçka e vështirë edhe për të. Për shkak të eksperiencës, Nikolla e di mirë se çfarë i duhet me vete.

Që në fillim hasen vështirësitë e para të atyre që nuk janë profesionistë.

Nikoll Prenga, udhërrëfyes: Këtu maja më e madhe 1170 metra, ose atje ku kanë vendos ata të kishës.

Pas rreth 1 ore udhëtim para të shfaqet fshati me të njëjtin emër, Vela. Të paktë janë banorët që kanë mbetur në zonë, por kullat janë aty.

Nikoll Prenga, udhërrëfyes: E gjithë zona është e pasur me minerale.

Mareja, dëllinja dhe gështenja nuk mungojnë. Eksploruesit provojnë shijet e tyre. Pasi kanë arritur rreth 800 m mbi nivelin e detit, udhërrefyesi shpjegon pak nga ajo çfarë kanë kaluar për t’i paraprirë pushimit.

Nikoll Prenga, udhërrëfyes: Jemi 800 metra mbi nivelin e detit, pak më lart do bëjmë pak pushim dhe të nisim pjesën e fundit që do jetë dhe pjesa më e vështirë.

Gështenjat të joshin, kurse pak ujë i freskët në shtëpitë e vendasve të jep forcë për të vazhduar.

Ata që jetojnë akoma në Velë të presin dhe të percjellin duke u lutur që do të rikthehesh.

“Një ecje që mund të kryhet gjatë ditës 3 orë e gjysëm ngjitja dhe 3 orë e gjysëm zbritja. Mund të bëhet brenda ditës dhe është 45 minuta nga Tirana”.

Fundi i ngjitjes është më i vështirë. Është një eksperiencë e veçantë.

Në majë të malit të Velës, 1150 metra mbi nivelin e detit. Duket se ky mision u realizua me së miri. Për t’iu ngjitur malit ka disa rrugë, e kjo varet nga natyra e grupit, kërkesat e tij dhe interesi që ata kanë për zonën, kulinarinë, apo shkallën e vështirësisë. Nikolla tregon arsyet pse duhet zgjedhur ky shteg.

“Është pak i njohur ua sugjeroj të gjithëve se Vela është më i bukur fshati, pamja është shumë e bukur dhe shtëpi mikpritëse, njerëzit janë të dashur dhe të respektuar. Uroj të zhvillohet se e meriton fshati dhe lugina. /abcnews.al

Gazetar i ABC News: Gjergji Figuri

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!