U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, 3 në pranga në Tiranë

schedule10:19 - 10 Janar, 2022

schedule 10:19 - 10 Janar, 2022

Policia në Tiranë ka finalizuar operacionin e koduar “Pararoja”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit. Njoftohet se në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë tre persona dhe u proceduan penalisht tre të tjerë.

Të arrestuarit janë I. D., 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”; A. V., 22 vjeç dhe J. S., 20 vjeçe. Të rinjtë janë kapur nga shërbimet e Policisë, në hyrje të Tiranës, duke transportuar 3 emigrantë, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

22-vjeçari A. V. bënte transportin e emigrantëve, me një automjet “Mercedes Benz”, ndërsa 25-vjeçari I. D. dhe 20-vjeçarja J. S. qarkullonin me një mjet tjetër përpara A. V., për ta informuar atë nëse kishte shërbime policore.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 3 shtetas të huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. /abcnews.al/