Ekipet e shpëtimit në Cali të Kolumbisë kanë nxjerrë të gjallë një nënë dhe foshnjën e saj të porsalindur nga rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmeti. Të dy kishin mbetur të bllokuar në një ndërtesë pesëkatëshe, e cila u shemb në lagjen Ciudad Capri pas tërmetit me magnitudë 7.4, qe deri tani ka shkaktuar mbi 130 viktima.
Nëna dhe foshnja u transportuan në qendrat e asistencës aty pranë, ku u deklaruan jashtë rrezikut për jetën. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje mes rrënojave. Shpëtimtari Carlos Ortiz u shpreh për mediat se gjetja e foshnjës së bashku me nënën i ka dhënë ekipit shpresë për të vijuar punën.
“Për fat të mirë, gjetëm foshnjën me nënën e saj, gjë që na dha shumë shpresë për të vazhduar punën. Kemi shpëtuar tashmë shtatë persona dhe aktualisht po kërkojmë, pasi po marrim sinjale jete, një çift të moshuarish dhe nipin e tyre shtatëvjeçar”, tha Ortiz. Duke iu referuar foshnjës, ai siguroi se gjendja e saj është e qëndrueshme. “Për fat të mirë është e qëndrueshme. Ka pësuar disa gërvishtje të vogla gjatë nxjerrjes, por është në gjendje të qëndrueshme dhe është marrë nën kujdesin e paramedikëve të zonës”, deklaroi shpëtimtari.


