Turizmi kulturor në Shkodër/ Të huajt interes për të kaluarën komuniste, vizitojnë muzetë

schedule15:26 - 18 Korrik, 2024

schedule 15:26 - 18 Korrik, 2024

Turistët që vizitojnë Shkodrën po shfaqin gjithnjë edhe më shumë interes për historinë e qytetit, kryeqendër të veriut.

Objektet e trashëgimisë kulturore janë kthyer në atraksione turistike të preferuara për të huajt.

Një ndër to është edhe muzeu “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”, i cili tregon për vuajtjet e të burgosurve politikë gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Maria Parte është nga Meksika dhe është hera e parë që ndodhet në Shqipëri. Thotë se shqiptarët i kanë lënë ndjesi pozitive.

“Kam tre javë që jam në Shqipëri, këtë vend e bëjnë njerëzit. Unë nuk e di ku ndodhem në një zonë, dhe pyes, këtu njerëzit janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Pra ata lënë një punë të vetën për të të ndihmuar ty”….

Suzana Bogumil është antropologe nga Universiteti i Varshavës në Poloni dhe puna e saj shkencore është memoria kolektive, dhe në këtë muze duket se ka gjetur atë që kërkonte mbi të shkuarën komuniste të Shqipërisë.

“Kudo ku udhëtoj jam e interesuar për historinë e atij vendi. Jam studiuese e kujtesës dhe specifikisht të asaj komuniste. Dhe si studiuese kam patur rastin të shoh muze të ngjashëm në vendet ish- komuniste, si në Poloni, Estoni, Rumani, Rusi, Kazakstan, Monogoli. Ajo që mua më intereson është se si kjo e kaluar ruhet dhe transmetohet, si kujtohet periudha komuniste, dhe cilat janë veçantitë e kësaj kujtese. Dhe si kjo memorie e së kaluares inkuadrohet, promovohet dhe përdoret nga shoqëria për të krijuar atë identitet shoqëror”.

Për Maria Parte turisten meksikane, vizita në këtë muze është emocionuese, pasi në këtë mënyrë njihet me dëshmi të diktaturës në Shqipëri.

“Unë kam lexuar për Shqipërinë dhe periudhën komuniste, por kur erdha këtu në këtë muze dhe pashë, është shumë emocionuese të mësosh se cfarë ka kaluar ky popull, vuajtjet e të burgosurve, të familjeve të tyre është shumë prekëse”…

Të huajt që vizitojnë muzeun janë nga vende të ndryshme të botës.

Nga viti 1944 e deri në vitin 1998 ka shërbyer si dega e brendëshme, dëshmi e një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit tonë, ruhet ende në brendësinë e këtij muzeu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!