“Tulipani” sërish në huazim, Xavi Simons nuk largohet nga “Red Bull Arena”

schedule18:36 - 31 Korrik, 2024

schedule 18:36 - 31 Korrik, 2024

Statistikat nuk gënjejnë kurrë.

Me plot 10 gola e 15 asistime, në 43 sfidat e zhvilluara, “tulipani” holandez, Xavi Simons ishte padyshim “ylli” që shkëlqeu më fort në sezonin e fundit, për “Demat” gjermanë të Leipzig, duke qenë një pjesë kyçe në skemat e teknikut Marco Rose.

Mirëpo nëse deri më tani ka shkëlqyer në periudhat e tij të huazimit, në Holandë e Gjermani, talenti holandez sërish nuk është gati për formacionin e titullarit te “gjigantët” francezë të PSG, të paktën sipas këtyre të fundit, dhe është në kërkim të aventurës së radhës.

Deri më tani pista më e mundshme dhe ajo me më shumë shanse për të ndodhur është një vit i dytë i huazuar te Leipzig, pavarësisht interesimeve të shumta nga “Bavarezët” e Bayern Munich dhe “Katalanasit” e Barcelona.

Sipas raportimeve më të fundit të gazetarit të mirënjohur të merkatos, Fabrizio Romano, CEO i RB Leipzig, Oliver Mintzlaff është në bisedime intensive me klubin “parisien”, të cilët janë të hapur për të huazuar sërish “tulipanin”, i cili nga ana e “gjigantëve” të Ligue 1 konsiderohet i pashitshëm, ndryshe nga kërkesat e Bayern dhe Barcelona. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!