Ka përfunduar tryeza e thirrur nga OSBE për reformën zgjedhore.
Sipas raportimit të gazetares Esjona Konomi për abcnews.al konkluzionet e tryezës së thirrur nga OSBE pritet të njoftohen rreth orës 14:00. Pjesa e dytë e takimit pritet të fillojë në minutat në vazhdim.
Deri më tani vlen të theksohet se ndryshe nga tryeza e parë e mbledhur më 25 shtator nga OSBE, përfaqësuesi i opozitës së bashkuar Ivi Kaso por edhe grupi i ekspertëve që e shoqëron atë, nuk u larguan siç bënë në mbledhjen e parë, por do të qëndrojnë deri në fund të kësaj tryeze.
Siç raporton Esjona Konomi për abcnews.al, një qëndrim paraprak i opozitës së bashkuar që do të përcillet përmes Ivi Kasos, është vlerësimi se për PD dhe opozitën e bashkuar, duhet që financimi i partive politikë të jetë 100 % shtetëror, dhe asnjë financim privat nuk mund të vijë për një fushatë elektorale.
Por ndërkohë Muharrem Caka në një prononcim për abcnews.al tha se LSI është kundër financimit 100 % nga shteti për fushatën zgjedhore, dhe se për këtë çështje duhet financim i kombinuar, dhe jo ti bjerë e gjithë fatura shtetit.
PD gjithashtu kërkoi rregulla strikte, që të përjashtojnë marrjen e tenderave elektorale nga persona të caktuar të cilët në mënyrë të fshehtë mund të ndihmojnë parti apo kandidatë të caktuar.
Po ashtu në kërkesat e saj PD ka kërkuar që të kriminalizohet çdo financim i huaj që mund të vijë për një parti politike në zgjedhjet shqiptare.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të pjesës së parë të mbledhjes së tryezës së OSBE, Damian Gjiknuri tha se në këtë tryezë si çështje me rëndësi ishte financimet e partive politike. Gjiknuri tha se mazhoranca pret edhe propozimet konkrete të PD në lidhje me reformën zgjedhore, pasi deri tani sipas tij, PD ka dhënë vetëm deklarata.
Deri tani mësohet se kanë folur vëtëm ekspertë të huaj të OSBE / ODIHR duke treguar eksperiencat e huaja më të mira, në lidhje me financimet e partive.
Fakti që kamerat kanë munguar, kanë bërë që mbledhja të jetë më frytdhënëse në lidhje me arritje të vendimeve për këtë çështje./abcnews.al


