Trump, takim me kongresmenët për ligjin e armëve

schedule22:50 - 26 Shkurt, 2018

schedule 22:50 - 26 Shkurt, 2018

Presidenti amerikan do të zhvillojë këtë javë një takim me kongresmenët e të dyja partive për të diskutuar për ndryshimet që mund t’i bëhen ligjit për armët, pas masakrës në Florida ku humbën jetën 17 studentë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka në plan të takohet me ligjvënësit republikanë dhe demokratë të mërkurën, për të diskutuar mbi legjislacionin për armët. Lëvizja e Trump, e konfirmuar nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, vjen pak kohë pas masakrës në një shkollë të mesme në Florida, ku humbën jetën 17 studentë dhe mësues.

“Presidenti ka në plan të takohet të mërkurën me anëtarët e komisionit dypartiak të Kongresit, për të diskutuar pjesë të ndryshme të ligjit për armët dhe çfarë mund të bëjnë për t’i çuar gjërat përpara”, ka deklaruar Sarah Sanders.

Më herët gjatë muajit, presidenti Trump zhvilloi një takim me studentët e mbijetuar të tragjedisë së Floridës, ku për zgjidhjen e problemit të armëve propozoi armatosjen e mësuesve. Njëri prej tyre iu përgjigj prerë, duke thënë se nuk do të shkonte i armatosur në shkollë e të qëndronte i armatosur mes të rinjve. Ndërkohë, për disa ditë studentët mbajtën një protestë kundër lirisë së armëmbajtjes. Deri tani, nga administrata propozimi i vetëm që ka ardhur ka qenë rritja e moshës së pajisjes me armë nga 18 në 21./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!