Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se nuk mendon të zgjasë armëpushimin me Iranin, duke theksuar se zhvillimet e ardhshme mund ta bëjnë një vendim të tillë të panevojshëm.
Në një intervistë për ABC News, me gazetarin Jonathan Karl, Trump u shfaq optimist për ditët në vijim, duke paralajmëruar ngjarje të rëndësishme që mund të ndikojnë ndjeshëm në situatën në Lindjen e Mesme.
“Mendoj se do të shihni dy ditë të mrekullueshme që vijnë. Unë me të vërtetë besoj kështu”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se zhvillimet janë të afërta dhe potencialisht vendimtare për rrjedhën e konfliktit.
I pyetur nëse lufta mund të përfundojë përmes një marrëveshjeje apo përmes neutralizimit të aftësive të kundërshtarit, Trump theksoi se të dyja opsionet mbeten të hapura. Megjithatë, ai nënvizoi se një marrëveshje do të ishte zgjidhja më e dëshirueshme, pasi mund të krijojë mundësi për stabilizim dhe rindërtim në rajon.


