Tentativa për grabitje në Vlorë, policia: Alarm fals!

schedule16:46 - 17 Janar, 2018

schedule 16:46 - 17 Janar, 2018

Policia e Vlorës ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë tentativë për grabitje ditën e mërkurë në Vlorë.

Zyra për shtyp e policisë në qytetin bregdetar sqaroi se në Sallën Operative Vlorë kishte mbërritur një telefonatë, e cila njoftonte se në një kazino në lagjen ”Lef Sallata”janë futur dy persona me armë.

Drejt kazinosë janë nisur menjëherë forca të shumta policie, si dhe është tentuar disa herë të kontaktohet me telefonuesin, por telefoni rezultoi i fikur.

Policia tha se telefonata ishte e rreme pasi nga veprimet hetimore paraprake, ka rezultuar se në kazinonë në fjalë nuk ka ndodhur asnjë grabitje apo tentativë e tillë.

Për siguri policia ka kontrolluar dhe ka shoqëruar tre persona, të cilët ishin pa kartë identiteti me vete. Pas verifikimeve të kryera ata u lënë të lirë./tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!