Tre Bashki ende pa kryetar, institucionet ping-pong për shpalljen e vakancave

schedule19:09 - 9 Shkurt, 2020

schedule 19:09 - 9 Shkurt, 2020

Fillimisht Shkodra, e më pas Vora e Durrësi prej muajsh janë pa kryetarë. Taulant Balla i Partisë Socialiste javën e shkuar përmes një komunikate për mediat i bëri thirrje Presidentit Ilir Meta që pasi të përfundojë gjendja e emergjencës në fund të muajit mars, të caktojë datën e re të zgjedhjeve në Shkodër, Durrës dhe Vorë.

Por para kësaj deklarate të Ballës vetë Presidenti Meta tha se do të ndjekë procedurat për të caktuar datë për zgjedhje.

Por cilat janë këto procedura mes të cilave duket se institucionet kanë ngecur?

Kodi Zgjedhor në nenin 10 parashikon se, Presidenti nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi që merr për ndërprerjen e një mandati.

Por cilat janë institucionet që duhet të informojnë Presidentin për t’u vënë më pas në lëvizje?

“Një ndër rrugët është që duhet të kalojë përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që merr informacionin për krijimin e “vakancës” dhe i çohet Presidentit. Ose një rrugë tjetër është Kryeministri i vendit. Kryeministri duhet ti bëjë kërkesën Presidentit, për të shpallur datën e zgjedhjeve, për plotësimin e “vakancës”. Ajo që duhej bërë, në rastin e heqjes së mandatit si rezultat i veprimit të dekriminalizimit, duhet të kalonte përmes KQZ. Edhe në rastin e Shkodrës, mund të veprohej kështu, nuk kishte pse të mos kalohej përmes Kryeministrit të vendit”, tha ish-kreu i KQZ Kristaq Kume.

Në zyrën e Presidentit ka shkuar vetëm “Vakanca” e Bashkisë Shkodër që është paraqitur nga Prefekti Çesk Millja në muajin gusht të vitit të kaluar.

Presidenca për ABC News konfirmoi se për dy bashkitë e tjera, Vorë dhe Durrës, nuk ka marrë njoftim për “vakanca” bosh.

Bashkia Shkodër vijon të drejtohet nga demokratja Voltana Ademi, pasi dekriminalizimi largoi Valdrin Pjetrin ende pa e marrë detyrën zyrtarisht.

Kryebashkiaku i dytë që ra prej dekriminalizimit ishte Agim Kajmaku që është në kërkim të policisë që prej fillimit të muajit nëntor.

Të premten e javës që shkoi, Gjykata Administrative pezulloi të besuarin në detyrë të Kajmakut, Genti Picari.

Gjykata ndërkohë ktheu dy nënkryetarët e shkarkuar nga Kajmaku në detyrë, Hekuran Brahimaj dhe Laureta Omeri.

Ende është e paqartë se kush do të caktohet me detyrën e kryetarit në këtë bashki.

Bashkia Durrës ndërkohë prej fillimit të muajit dhjetor drejtohet nga nënkryetari Zhulian Varfaj pasi e zgjedhura Valbona Sako dha dorëheqjen./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!