Transporti në shkolla, prindërit të shqetësuar për fëmijët

schedule13:31 - 12 Shtator, 2018

schedule 13:31 - 12 Shtator, 2018

Mbyllja e klasave kolektive në Elbasan është pritur mirë, por megjithatë prindërit janë të shqetësuar për transportin e fëmijëve të tyre në shkollat larg vendbanimit. Ata kërkojnë më tepër siguri për të vegjëlit që udhëtojnë me autobus.

Godinat ishin të një gjendjeje sa kujtonin kohën si mësohej pas luftës. Pa infrastrukturë, pa bazë materiale dhe normalisht proces mësimor kaotik. Kësaj i shtohen edhe shpenzimet e pavend.

Megjithatë në Elbasan infrastruktura në shkolla është problem. Në disa prej tyre nuk plotësohen kushtet. E tillë është edhe shkolla në fshatin Mengël.

Ajo u mbyll rreth dy vite më parë pasi komisioni i ngritur nga emergjencat civile e konsideroi të pasigurtë, për shkak të amortizimit dhe dëmeve të shkatuara nga tërmeti.

Nxënësit u dërguan në shkolla të tjera dhe mësimi zhvillohet në dy turne.

“Prej rreth dy vitesh nxënësit e zhvillojnë procesin mësimor në qytetin e Elbasanit, por sipas prindërve dhe nxënësve zhvillimi i mësimit në qytetin e Elbasanit është i mundimshëm dhe i rrezikshëm. Ata kërkojnë që sa më parë të bëhet rikontruksioni i kësaj shkolle”, raportoi gazetari Fatos Salliu.

Me afrimin e nisjes së vitit të ri shkollor prindërit ngrenë shqetësimet e tyre. Ata nuk ndjehen të qetë, ndërsa fëmijët udhëtojnë të vetëm me autobusë në një zonë shumë të populluar.

“Për një familje është shumë keq se do të lërë dhe punën për të çuar fëmijën”, tha një banore.

“Ne nuk i çojmë kalamajtë në shkollë në Elbasan. Ne e kemi shkollën këtu. Shkolla le të vazhdojë. Me datë 17, ne do të bllokojmë rrugën”, tregoi një tjetër banore e fshatit Mengël.

“Me gjithë frikë rrimë. Kush ka makinë vetë dhe i merr nxënësit atje. Pavarësisht se është autobusi në derë, edhe i sjell, por është shumë frikë”, u shpreh një banore.

“Nga 40 që merr autobusi, këta duke hipur nga 70. Biles i kemi ndaluar disa herë shoferët dhe kemi policinë për këtë punë”, tha një banor.

Edhe fëmijët kërkojnë të ndjekin mësim në shkollën e tyre pasi ndjehen më të sigurtë.

“Ndihem në shumë siklet pasi edhe fëmijët e vegjël të klasës së parë rrëzohen nga shkallët e autobusave se autobusi është shumë i madh dhe është frikë, kam shumë frikë”, tha një nxënëse.

Drejtoria e shkollës bën me dije se projekti për rikonstruksionin ka kohë që është dorëzuar dhe se pritet çelja e fondeve, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje. Në këtë gjendje janë edhe disa shkolla në bashki të tjera të qarkut. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!