Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, u shpreh i lumtur që ekipi i tij kaloi ngërçin psikologjik nga dënimi i UEFA-s. Ai tregoi se çfarë i kishte thënë futbollistëve përpara ndeshjes ndaj Flamurtarit.
E priste diçka të tillë, edhe pse dyshimet mbeteshin. Ilir Daja padyshim ishte një njeri i lumtur në përfundim të sfidës së Superligës në Vlorë, pasi skuadra i dha pikërisht atë që kërkoi.
Skënderbeu u rikthye jo vetëm tek fitorja, por sidomos tek loja e tij e zakonshme, diçka për të cilën kishte këmbëngulur trajneri i saj. Edhe pse e ardhmja mund të jetë tepër e vështirë, nëse dënimi i UEFA-s mbetet në fuqi, sërish Daja kërkon t’i gëzohet të tashmes.
Ilir Daja: “U rikthyem tek ajo performancë që ne kemi bërë gjatë gjithë kampionatit dhe treguam që ishte një ngërç piskologjik dhe sot u ulëm me këmbë në tokë. Në analizën përpara ndeshjes ka qenë që mbaroi koha e përshtatjes nëse duam që të bëjmë finishin ashtu siç kemi bërë gjithë kampionatin. Ta nisësh ndeshjen me gol është një bonus shumë i madh psikologjik. Ajo që është më e rëndësishme është përveç startit të mirë kishim vazhdimësi edhe gjatë lojës”.
Krejt e kundërta ishte tekniku i Flamurtarit, Shpëtim Duro. Skuadra e tij jo thjesht humbi, por u paraqit kaq shumë e dorëzuar, saqë trajneri nuk arriti as të komentonte sfidën.
Shpëtim Duro: “Është një periudhë shumë e gjatë që ne jemi të ngarkuar për arsye të rezultateve. Megjithatë fitorja para 5 ditësh në Kupë mendova se do ndryshonte diçka, por ndodhi e kundërta. Një ndeshje që nuk ka nevojë për asnjë lloj komenti”./abcnews.al