Tortura çnjerëzore ndaj emigrantëve në Libi

schedule20:41 - 25 Janar, 2018

schedule 20:41 - 25 Janar, 2018

Emigrantët afrikanë që mbahen në kampet e Libisë janë bërë objekt i torturave çnjerëzore të milicive, që i trajtojnë brutalisht për t’u zhvatur para familjeve të tyre. Kanë qenë këto të fundit që kanë publikuar videot në rrjetet sociale.

Pamje të rënda filmike, që tregojnë torturat dhe keqtrajtimet që u bëhen emigrantëve në kampet e ngritura në Libi janë publikuar në rrjetet sociale. Gardianët e kampeve, që u përkasin ish-milicive që u përfshinë në konfliktin e armatosur të vitit 2011, torturojnë emigrantët, i filmojnë dhe më pas ua dërgojnë pamjet familjarëve të tyre duke u kërkuar një “haraç” në këmbim të lirimit.

Në një video shfaqen 5 emigrantë të shtrirë që torturohen, me kurrizin me palgë, ndërsa në një tjetër një djalë i ri torturohet me zjarr. Kanë qenë familjarët që kanë shpërndarë videot në rrjetet sociale, në përpjekje për të ndërgjegjësuar të gjithë mbi situatën e rëndë në të cilën ndodhen refugjatët që synojnë të arrijnë Europën, por që ndalohen në Libi.

Pas publikimit të një videoje, forcat speciale libiane lokalizuan një nga kampet e torturave në qytetin Sirte, bastisën ambjentet e tij, arrestuan 4 persona dhe liruan 8 të tjerë, të gjithë sudanezë. Gjithashtu, shumë emigrantë në këto kampe shiten në ankande si të ishin objekte, një konstatim ky që ka detyruar autoritetet libiane të nisin një hetim zyrtar. Kampet në Libi u ngritën pas marrëveshjeve të bëra nga vendet europiane me regjimin e këtij vendi për të ndaluar fluksin e refugjatëve drejt Europës. Ndërsa menaxhimi i tyre iu besua ish-milicive që u përfshinë në konfliktin e 7 viteve më parë që çoi në rrëzimin e liderit historik Muammar Gaddafi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!