PRISHTINË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët pas takimit me ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair, ka shprehur mirënjohjen e saj dhe të popullit të Kosovës për kontributin për çlirimin e vendit.
“Në vitin ’99 roli juaj si kryeministër britanik gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte vendimtar, ndaj sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës, si dhe hero i lirisë e demokracisë; edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe gjithë përkrahjen që ia keni dhënë Kosovës gjatë këtyre 25 viteve”, tha ajo.
Ajo theksoi se Kosova ndihet falënderues për ndihmën dhe kontributin e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe.
“25 vite pas dhe çdo ditë nga ajo, ne ju themi ‘faleminderit Sir Tony Blair’, që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë në anën e mbrojtjes së vlerave që kanë përcaktuar kapitujt më të lavdishëm të historisë njerëzore”, ka thënë Osmani.
Gjatë konferencës për mediat, Tony Blair, tha se ndihet i emocionuar duke dëshmuar se vendimi i para 25 viteve për të sulmuar ish-Jugosllavinë ishte akti i duhur.
“Është një çast emocionesh të thella që jam sot këtu. Përgëzime popullit të Kosovës për guximin dhe vendosmërinë e tyre të palëkundur që ta shfrytëzojnë atë për çlirimin e vendit. Atëherë isha i bindur se ishte gjeja e duhur për ta bërë dhe vazhdoj ta kem të bindje dhe gjithashtu jam i bindur se duhet të rrimë krah njerëzve të Kosovës, në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë plotësisht në linjë me meritat e njerëzve të saj. Pres me padurim që ta shoh ditën, që Kosova si komb i pavarur dhe sovran të zërë vendin e duhur në familjen e kombeve dhe si shembull për tërë botën, së shpejti do t’i adresohem deputetëve të Kuvendit dhe dua edhe njëherë të shpreh falënderimin dhe solidaritetin me njerëzit e Kosovës”, tha ai./abcnews.al