Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës zgjeron rrjetin ndërkombëtar përmes një linje të re ajrore. Kryeqyteti shqiptar lidhet tashmë direkt me kryeqytein portugez.
Në këtë 24 qershor u realizua fluturimi i parë nga Lisbona drejt Tiranës, përmes EasyJet.
Linja e re do të operojë dy herë në javë, çdo të martë dhe të shtunë, si një mundësi e re për turizëm dhe bashkëpëpunim ekonomik mes dy vendeve.
“Jemi të lumtur që kemi shtuar kete destinacion, edhe pse sezonal. Shpresojmë që EasyJet dhe Portugalinë të mund ta mbajmë jo vetëm për sezonin e verës, por përgjatë gjithë vitit. Avioni ishte plot në ardhje, do të jetë gjithashtu plot edhe në ikje. Nuk është surprizë. Në të vërtetë Shqiperia është tashmë një destinacion që të gjithë duan të vinë, ta vizitojnë. Pothuajse 90% e pasagjerëve janë portugezë dhe janë të etur të zbulojnë një vend të ri ku nuk kanë qenë më parë. Shpresojmë që shumë shpejt të shtojmë edhe më shumë destinacione si ky, si dhe të tjera nëpër Europë.”
EasyJet është një nga kompanitë ajrore më të mëdha me kosto të ulët në Evropë, që operon mbi 1,000 linja në 35 vende.
Ndërkohë, Aeroporti i Tiranës pritet të njoftojë së shpejti edhe linja të tjera të reja, si pjesë e strategjisë së tij afatmesme për zgjerimin e rrjetit ajror dhe përmbushjen e kërkesës në rritje për fluturime direkte.
TIA, si porta kryesore ajrore e Shqipërisë ka shënuar rritjen më të shpejtë në rajon. Me mbi 10.7 milionë pasagjerë në vitin 2024, aeroporti ka një rol kyç në lidhjen e Shqipërisë me destinacionet kryesore evropiane. Nën drejtimin e Grupit Kastrati, në aeroport janë bërë investime të mëdha në infrastrukturë, zgjerim terminali, hapësira të reja parkimi dhe teknologji të avancuara për përmirësimin e përvojës së pasagjerëve. / abcnews.al



