Tirana qendër e artit bashkëkohor, prezantohet instalacioni “TANGO DOWN 2”

schedule15:08 - 14 Gusht, 2019

schedule 15:08 - 14 Gusht, 2019

Artisti i artit pamor Helidon Gjergji prezantoi veprën e tij më të fundit në Tiranë. I pranishëm gjatë promovimit, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi synimin e tij për të ridimensionuar hapësirat publike në kryeqytet.

Arti bashkëkohor po zë vend gjithnjë e më shumë në jetën kulturore të Tiranës.

Instalacioni “Tango Down 2” i Helidon Gjergjit i cili ka shndërruar një sallë pasqyrash një nga dhomat e bunkerit anti atomik të periudhës së komunizmit.

 “Është gjithmonë gëzim i madh kur një artist i madh si Helidon Gjergji, kthehet në qytet edhe sjell disa nga përvojat e tij më të mira, por edhe një vepër që provokon. Besoj se Bunk’Art 1 po prodhon Tiranën policentrike. Pra, është tjetër gjë të thuash që do bëjmë qendër edhe në Kinostudio, në Kombinat, në Laprakë, dhe është tjetër gjë kur shikon se si mbushen me jetë cepa të qytetit, ku një akupunkturë siç është Bunk’Arti ka sjellë jo vetëm artistë shumë të njohur, por sjell qytetarë që dinë të vlerësojnë diçka që i provokon, i bën të mendojnë”, tha Veliaj.

Vepra të tilla sipas kryetarit të Bashkisë duhet të përhapen dhe në  zona të tjera në kryeqytet.

 “Është mirë të flasim se si mund t’i ridimensionojmë disa hapësira publike ose mikrohapësira në qytet. Në një lagje ka një bibliotekë, një kënd lodrash apo një fushë sportive, të treja këto konkurrojnë denjësisht me lojërat elektronike të dhunshme”, tha kryebashkiaku.

Tango Down e ka origjinën nga zhargoni ushtarak. Prej vitit 2008 është përshtatur nga lojërat elektronike me tematikë lufte.

Artisti i arteve pamore Helidon Gjergji me veprën e tij dëshiron të konfrontojë audiencën  që hyn edhe del në dhomën e veshur me pasqyra me kufijtë e realitetit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!