Tirana ndeshet me Laçin e pamposhtur

schedule17:45 - 6 Tetor, 2018

schedule 17:45 - 6 Tetor, 2018

Tirana e ka detyrim fitoren ndaj Laçit në Superligë, këtë fundjavë. Presidenti Halili ka dhënë ultimatum, ndërsa kapiteni Karabeci thotë se objektivi mund të arrihet.

Suksesi e fundit sikur i qetësoi disi, por jo plotësisht.

Futbollistët e Tiranës dhe stafi teknik janë ende nën presion dhe duhet të fitojnë ndeshjen e radhës në Superligë, atë ndaj Laçit këtë fundjavë. Për një ekip ku problemet nuk kanë munguar, kjo nuk duket e lehtë, ndonëse kapiteni Karabeci mbetet me besim. Karabeci ka qenë një nga shkaqet kryesore të tensionimit tek Tirana, të paktën sipas burimeve në ekip, pasi është lënë në stol nga Ze Maria.

“Marrëdhënia ime është normale siç është marrëdhënia mes një trajneri dhe një lojtari profesionist. Është marrëdhënie korrekte, mundohemi të respektojmë njëri-tjetrin. Në momentin që ti nuk merr rezultate normal që do kesh probleme sepse futbollistët nuk janë të qetë, janë në trysni siç u pa dhe në ndeshjen e fundit që ne pavarësisht se fituam nuk ishim të qetë, nuk bëmë lojën që bëjmë gjithmonë”, u shpreh futbollisti i Tiranës.

Pas humbjes në derbi, presidenti Halili ka kërkuar nga skuadra fitoren e dy ndeshjeve të radhës, ndaj Kastriotit dhe Laçit. Gjysma e objektivit u arrit, pas suksesit në Fushë-Krujë ndaj krutanëve, ndërsa këtë të diel, duhet edhe një tjetër 3-pikësh ndaj Laçit në “Selman Stërmasi’, në orën 16:45.

“Kjo ndeshje mendoj që ka ardhur në momentin e duhur sepse ne do të hyjmë në fushë për të marrë 3-pikëshin. Kemi bërë edhe ndeshje të mira, por s’kemi marrë maksimumin e ndeshjes. E kemi ndjekur Laçin. Që të jemi të sinqertë është një ekip shumë i vështirë, që mbrohet mirë. E dimë që është një ndeshje jo e lehtë për ne. Është e vështirë, por siç e thashë duhet të futemi në fushë me qëllimin e vetëm për 3 pikë”, tha Karabeci.

Pretendimet nga klubi janë të mëdha, ndonëse renditja ende është jo e mirë, me bardheblutë në vendin e 6 me 8 pikë, vetëm 2 pikë larg pozicionit të parafundit.

A mund të realizohet objektivi që ka deklaruar Ze Maria, për një nga tre vendet e para?

Ish-trajneri dhe ish-ylli i futbollit tiranas, Shkëlqi Muça, deklaron për “Panorama Sportin” se e sheh ekipin në luftën për të mos rënë nga kategoria. Nuk dihet nëse do të ndodhë kështu apo jo, veçse nëse gjendja nuk do të qetësohet dhe financat nuk do të jenë me korrektesë, ekipi kryeqytetas nuk pritet ta ketë të lehtë në këtë kampionat të vështirë.abcnews.al