Pas periudhave të këqija të kaluar tek Inter e PSG, duket se karriera e “bomberit” argjentias, Mauro Icardi ka “rilindur” te turqit e Galatasaray, me “luanët” e Stambollit që aktualisht kryesojnë renditjen e Kampionatit turk, me 6 pikë më shumë se rivalët historikë te Fenerbahce.
Mirëpo, një rol të madh në këto performanca e ka luajtur dhe ish-sulmuesi i Inter, Mauro Icardi, i cili në 19 ndeshje me fanellën e turqve ka shënuar plot 12 gola e ka dhuruar 7 asiste në të gjitha garat.
Performancat e tij kanë mahnitur tifozët e Galata-s dhe jo vetëm. Tekniku i Galtasaray, Okan Buruk ashtu si futbolldashësit shpreson që Icardi të vijojë “aventurën” e tij në Turqi, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm.
“Ne duam që Icardi të qëndrojë. E duan edhe tifozët, jo vetëm ata të Galatasarayt. E gjithë Turqia ndan këtë mendim. Tifozëve të futbollit u pëlqen të kemi lojtarë kaq të rëndësishëm në kampionatin tonë”,- deklaroi tekniku i turqve.
Ndërkaq, kujtojmë se 30-vjeçari është huazuar nga PSG te Galatasaray, ndërkohë që drejtuesit e klubit nga Stambolli janë gati të paguajnë 10 milionë euro për kartonin e tij. /i.m /abcnews.al