Thirrja e pensionistëve italianë: Lehtësoni kushtet, të jetojmë në Shqipëri

schedule22:12 - 22 Qershor, 2018

schedule 22:12 - 22 Qershor, 2018

Carmine Lampietro është një pensionist italian, i cili jeton në Shqipëri. Ai tregoi për emisionin “Stop” se edhe shumë italianë të tjerë duan të bëjnë të njejtën gjë, por nuk munden, pasi kanë probleme me lejen e qëndrimit, që kushtëzohet me blerjen e një shtëpie apo hapjen e një aktiviteti.

“Problemi im është të flas për llogari të pensionistëve italianë, të cilët duan të vijnë në Shqipëri, sepse ka shumë kërkesa. Janë problemet ligjore për lejen e qëndrimit, sepse siç e dimë për t’u pajisur me të nuk është i mjaftueshëm pensioni apo një kontratë qiraje për banesën. Por ligji thotë që duhet të jesh pronar i një shtëpie, të kesh një kontratë pune ose të hapësh një aktivitet tëndin, pra të vetëpunësohesh. Janë kaq gjëra që i pengojnë pensionistët italianë të vinë në Shqipëri, sepse jo të gjithë janë të gatshëm që që me herën e parë të blejnë një shtëpi. Ata nuk e dinë si është, ndaj nuk mund t’i kërkojmë të blejnë një shtëpi”, u shpreh pensionisti italian.

Sipas tij, garancia e mjaftueshme për të përfituar lejen e qëndrimit në Shqipëri është pensioni që marrin nga shteti italian, si dhe një kontratë 1-vjeçare qiraje për banesë.

Nga ana tjetër, në vitin 2014 Portugalia ka modifikuar ligjin për lejen e qëndrimit, duke vendosur që pensionistët italianë dhe europianë mos të paguajnë asnjë taksë përgjatë 10 viteve qëndrimi në këtë shtet.

Ndaj nga 1500 pensionistë europian që ishin fillimisht, pas 4 vitesh janë bërë 7500 të tillë, të cilët e përfitojnë lejen e qëndrimit vetëm prej pensionit të tyre dhe kontratës së qirasë.

“Politikanët duhet ta kuptojnë këtë dhe të modifikojnë ligjin, sikur bëri Portugalia për të afruar pensionistët. Jam i bindur që për Shqipërinë është një burim i madh ekonomik që të vijnë pensionistët, sepse sjellin shumë para”, theksoi Carmine Lampietro.

Gazetari i emisionit “Stop” u interesua pranë Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit në Policinë e Shtetit për të mësuar, se cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë këta persona që janë të interesuar për të qëndruar në Shqipëri.

Në përgjigjen e tyre zyrtare thuhet: “Në zbatim të ligjit për të huajt, i ndryshuar, ju bëjmë me dije se pensionistët italianë që dëshirojnë të jetojnë në Shqipëri për një periudhë më të gjatë se 90 ditë në 180 ditë nuk mund të trajtohen me leje qëndrimi”.

Pra nga ky insatitucion nuk erdhi asnjë përgjigje pozitive për këta pensionistë italianë, të cilët duan ta shpenzojnë pensionin e tyre duke qëndruar në Shqipëri.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi tregoi se sipas statistikave zyrtare, përgjatë 5 viteve të fundit janë larguar nga Shqipëria rreth 300 mijë shqiptarë, të cilët kryesisht kanë një sasi të konsiderueshme parash. Ndaj dhe institucionet shqiptare duhet të lehtësojnë ardhjen e pensionistëve italianë, të cilët kthehen në konsumatorë në vendin tonë.

 

“Një vend i varfër tenton të përshtasë këtë kuadër ligjor që të lehtësojë ardhjen e konsumatorëve, që në rastin konkret janë pensionistë. Njëkohësisht duhet të krijojë kushte qëndrimi të këndshme për ta sepse bota është e hapur dhe jetojmë në ekonomi globale”, u shpreh eksperti Preçi.

Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj bënë apel për të ndryshuar ligjin për lejen e qëndrimit të shtetasve të huaj, pasi kjo do të çojë në përmirësimin e ekonomisë sonë./tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!