Në fjalën e tij në takimin me operatorë të sektorit ushqimor, kryeministri Edi Rama tha se punë është bërë por jemi larg standardeve të BE. Duke vënë theksin te thertoret dhe sektorin e qumështit, Rama tha se me hyrjen në BE duhet konsideruar se cdo gjë që prodhohet në Shqipëri, konsiderohet se del në dyqan në BE.
“Lidhur me thertoret, kemi bërë një stabilizim krahasuar me kohën kur kemi marrë këtë detyrë e mbajnë mend të gjithë ata që kanë kaluar nga ktheza e Kamzës ku gjaku rridhte në rrugë, gjëja e gjallë therej në rrugë.
Niveli ku jemi është shumë më i mirë sec ishim për Shqipërinë, por larg nivelit për të marrë certifikatën që po ti mund të vijosh të kesh thertore dhe ti shërbesh tregut europian.
Cdo gjë që prodhohet në Shqipëri, konsiderohet se del në dyqan në BE. Je pjesë e BE dhe duhet të kesh standardet e sigurisë ushqimore që i garantohen qytetarëve të BE
Për thertoret problemi më i tmerrshëm është ndarja e mbetjeve që nuk janë për konsum. Dhe procesi i trajtimi të mbetjeve sipas standardeve të BE për të shmangur cdo rrezik kontaminimi. Asnjë thertore sot nuk e ka këtë process. Duhet bërë, nëse nuk ekziston thertorja nuk mbijeton në tregun europian.
Po punojmë për ligjin për nënproduktet shtazore që nuk janë për konsum. Duhet të mbështesim sektorin me investime specifike dhe të garantojmë gjurmueshmërinë.
Sektori I qumshtit, është një tjetër sektor që nëse do ishim sot anëtar të BE, nuk do i mbijetonte dot kërkesës së standardeve, është gjithë zinxhiri qe duhet garantuar. Këtu përsëri vijmë te nevoja për standarde, thënë të gjitha këto, nuk i trembem kohës në dispozicion është e mjaftueshme. Nuk I trembem aftësive të të gjithë atyre që kanë investuar, I trembem neglizhencës alla shqiptarshme, ‘hajt se ka kohë’, ‘do e gjejmë si t’i rrëshqasim topin edhe BE’. Nuk ndodh kjo!”, u shpreh Rama. /abcnews.al


