Gati gjashtë milionë njerëz në Haiti pritet të përballen me pasiguri akute ushqimore në muajt në vijim, sipas një vlerësimi të ri të publikuar së fundmi. Kjo nxjerrë në pah përmasat alarmante të krizës humanitare në vendin e Karaibeve.
Raporti i Klasifikimit të Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) tregon se rreth 5.8 milionë haitianë, më shumë se gjysma e popullsisë po përballen me mungesë serioze ushqimi.
Prej tyre, mbi 1.8 milionë ndodhen në një situatë emergjente, duke pasur nevojë urgjente për ndihmë humanitare.
Sipas raportit, kriza është rezultat i përkeqësimit të situatës së sigurisë, tronditjeve ekonomike dhe ndërprerjeve të mëdha në tregje dhe në sektorin bujqësor. Dhuna e bandave ka zgjeruar ndjeshëm kontrollin e saj në pjesë të ndryshme të vendit, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë furnizimin me ushqime.
Për më tepër, mbi 1.4 milionë persona janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre, çka ka përkeqësuar më tej gjendjen e familjeve, duke i shtyrë ato drejt varfërisë ekstreme dhe urisë.
Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se pa ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar, situata në Haiti mund të përshkallëzohet edhe më tej, duke rrezikuar jetën e miliona njerëzve.


