“Teuta ekip i fortë”, Dede: Nesër do jetë “luftë”, Tirana depërton në çdo mbrojtje

schedule10:16 - 26 Dhjetor, 2020

schedule 10:16 - 26 Dhjetor, 2020

Nesër në “Niko Dovana” Tirana luan një ndeshje shumë të vështirë, ndaj një kundërshtari, që është kthyer në një “mace të zezë” për bardheblutë, Teutën. Para kësaj beteje në konferencë për shtyp foli trajneri i kampionëve në fuqi, Nevil Dede. Ish-mbrojtësi u shpreh se nesër do jetë një luftë e fortë sportive dhe ndeshjen nuk do e vendosin episodet.

“Shpresoj që të gjithë djemtë t’i kemi gati. Deri në këto momente kemi disa probleme të vogla, por besoj se do rikuperojmë sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi edhe thuajse 30 orë në dispozicion, kështu koha mjafton për të rikuperuar çdo gjë, që na mungon. Gjithsesi kemi forca dhe ju e dini mirë se kemi edhe lojtarë nga akademia, që janë lojtarë me perspektive dhe japin kontributin e tyre.

 

Bardheblutë duke festuar një gol

Teuta është ndeshje e fortë ndaj një skuadre të fortë dhe për tu respektuar, ashtu siç kam shprehur konsideratë për çdokënd. Në realitetin tonë përjetojmë një lloj agresioni, që vjen nga situata të ndryshme. Është përballje e fortë dhe ne shkojmë për të treguar cilësinë dhe kualitetin tonë dhe të shohim talentet, që janë të shumtë në skuadrën tonë dhe jemi gjithmonë befasues.

Unë e di se në bazë të rregullores pas gjysmës së dënimit, mund të plotësohen disa kushte dhe lojtari të rikthehet. Unë di që Ismajgleci do të jetë në fushë. Në këtë intensitet ndeshjesh, prej reshjeve terreni mund të jetë rënduar pak, por unë di që ata (Teuta) janë klub serioz, infrastrukturën e kanë në qendër të vëmendjes dhe mundohen ta mbajnë sa më mirë fushën, kanë bërë disa ndërhyrje për ta riparuar. Në fund fusha është e barabartë për të skuadrat.

 

Befasia do të jetë e rëndësishme për këtë ndeshje. Kemi një skuadër, që po merr formë dhe ka personalitet shumë të fortë, edhe kur ajo vuan apo është në disavantazh gjithmonë reagon. Ne jetojmë, gëzojmë dhe mërzitemi bashkë.

Kam parë se ata gjithmonë reagojnë dhe ndjekin idetë e mia dhe i shpalosin ato dhe cilësitë e tyre. Ndeshja mund të zgjidhet edhe nga episodet, por unë nuk mendoj se nesër do të vendosin episodet, por do të jetë luftë e fortë sportive dhe skuadra e di. Në bazë të dueleve dhe luftimeve shpresoj të dalim fitimtar.

Lojtarë të mirë ka shumë në Superiore, siç ka Tirana kapitenin, që e kam këtu dhe të rinj të tjerë. Jo vetëm ne, kanë edhe të tjerët, ashtu si Teuta. Meritojnë respekt dhe në fushë më pas çdo gjë harrohet dhe jemi kundërshtarë. Pas ndeshjes kthehemi miq.

 

Ne kemi treguar në çdo ndeshje, përballë çdo kundërshtari. Edhe me Kukësin, që ishte kundërshtar i fortë dhe favorit, ne u shfaqëm në disa momente. Në perceptimin e parë dikush mund të thotë se Tirana vuajti, por nuk është e vërtetë.

Ne patëm dëmtimin e Sasrakut në 10 minutat e fundit dhe me Gyamfi në 10 minutat e fundit të pjesës së parë. Nëse Sasraku do vazhdonte deri në fund, ndoshta do flisnim ndryshe. Shpresojmë ta rikuperojmë Sasrakun sa më shpejt, por ne kemi cilësi dhe kualitete, që të godasin në mënyra të ndryshme”, u shpreh Dede. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!