“Tërmeti na paralajmëroi dhe duhet të veprojmë, nesër mund të jetë vonë”

schedule18:10 - 30 Shtator, 2019

schedule 18:10 - 30 Shtator, 2019

Kuvendi i Republikës zhvilloi këtë të hënë seancën plenare ku u diskutuan çështjet e evidentuara nga zgjedhësit gjatë javës së gjelbër. Në fjalën e tij, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u ndal tek tërmeti që goditi Shqipërinë më 21 Shtator.

Xhafaj tha se atë moment shqetësimi e lehtësoi solidariteti njerëzor, por edhe angazhimi i fortë i institucioneve shtetërore. Megjithatë sipas ish-ministrit, gjatë javës post tërmet pamë edhe marrëzinë politike, por edhe çmendurinë e një pjese të vogël të medias.

“Gjatë orëve dhe ditëve të tërmetit dhe në javët post tërmet na ndodhën shumë gjëra të çuditshme. Patëm momente kur ndjemë kufirin e jetës reale, frikën dhe shqetësimin e familjarëve, pamë frikën dhe shqetësimin e tyre që dëmi i shkaktuar ju prishi qetësinë e jetës së përditshme. E lehtësoi shumë këtë moment të natyrshëm shqetësimi njerëzor solidariteti i shfaqur, por edhe angazhimi i fortë dhe i përgjegjshëm i institucioneve tona shtetërore. Ishim origjinal si shqiptarë. Gjatë kësaj jave pamë të shfaqej edhe marrëzia e zakonshme politike për të bërë politikë me tërmetin, dhe ca më keq akoma, çmenduria e një pjese të vogël të medias për t’i shërbyer padronit politik apo edhe për të bërë pazar klikimesh në pazarin mediatik. Ka ardhur koha që nëpërmjet fuqisë së ligjit akte të tilla të ndëshkohen. Kjo është përgjegjësi ndaj njerëzve, por edhe mësim i mirë për përgjegjësinë ndaj të vërtetës si detyrim me interes publik”, tha Xhafaj.

Sipas Xhafajt, momenti pas tërmetit duhet të shërbejë për reflektim serioz dhe të përgjegjshëm të qeverisë, e cila duhet të bëjë publike një strategji për raste të tilla. Tërmetet nuk i parashikojmë dot, por dëmet e mëdha mund t’i parandalojmë, tha ish-ministri.

“Qeveria mund t’i bënte një shërbim të mirë vendit nëse në reflektim të kësaj çfarë përjetuam dhe nevojë për t’u përballur me to të përgatiste dhe të bënte sa më shpejt publike një strategji të qartë reflektimi të shoqëruar me një plan të qartë veprimi. Më së paku është domosdoshmëri nevoja për dokumentimin shkencor të dëmeve, azhurnimin e hartës sizmike të vendit, ndërmarrja e një analize shkencore për të përcaktuar zonat problematike etj. Kemi të domosdoshme për të ringritur apo fuqizuar institucionet e këtyre fushave. Ky tërmet na paralajmëroi, ne duhet tashmë të veprojmë, nesër mund të jetë vonë”, tha Xhafaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!