Donald Trump ka vendosur që të mos e shtyjë udhëtimin e tij në Wisconsin për Konventën Kombëtare Republikane pas tentativës për vrasje në mitingun e së shtunës në Pensilvani. Në një postim, kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale, tha se do të niset në udhëtim siç e ishte planifikuar.
“Bazuar në ngjarjet e tmerrshme të djeshme, unë do ta shtyja udhëtimin tim në Wisconsin dhe Konventën Kombëtare Republikane, me dy ditë, por sapo vendosa që nuk mund të lejoj një “qitës” ose një vrasës të mundshëm, të detyrojë ndryshimin e orarit, apo ndonjë gjë tjetër”, ka shkruar Trump në rrjetet sociale.
Kujtojmë që ish presidenti amerikan, që synon sërish të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, u plagos në vesh pasi një 20 vjeçar qëlloi ndaj tij në tubimin që po mbante në Pensilvani. Më herët, presidenti Joe Biden tha se ka biseduar me Trump dhe se ndihej i lumtur se ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Biden shtoi se akte të tilla dhune nuk kanë vend në SHBA ndërsa shtoi se ka urdhëruar një hetim të pavarur të sigurisë në tubimin e Trump./abcnews.al


