Donika Berisha, zëdhënëse e EULEX-it në Kosovë, ka dhënë për emisionin “Ballkan” detaje rreth masave të marra për të garantuar sigurinë dhe rendin në veri në vendit pas tensioneve të krijuara ditëve të fundit.
E pyetur nëse EULEX i ka përforëcuar njësitë në veri, Berisha tregon se më 8 nëntor në këtë rajon është shtuar një njësi policore e specializuar rezervë, e përbërë nga 23 xhandarë nga karabineriët italianë u zbarkua përkohësisht në Kosovë për të përforëcuar kapacitetet e njësisë policore të specializuar ekzistuese të EULEX-it, e cila përbëhet nga 105 zyrtarë policorë.
“Njësia jonë policore e specializuar ka shtuar më tej, patrullimet mobile të vëzhgimit në Kosovën Veriore. Për më tepër, këshilltarët policorë të lartë të Eulexit për veriun janë të vendosur në kompleksin e drejtorisë së policisë së Kosovës, rajoni Veri dhe janë duke dhënë këshilla për drejtorinë e policisë së Kosovës, rajoni Veri dhe katër stacionet policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh,” shpjegon ajo.
Zëdhënësja e EULEX bëri po ashtu të ditur se aktualisht pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje kontrollohen nga njësi policore të specializuara dhe nga Eulex.
E pyetur se çfarë do të bëjë EULEX në rast të përshkallëzimit të situatës në Veri, Berisha thekson se do të bëhet ajo që është e nevojshme për të mbështetur stabilitetin e Kosovës. Megjithatë, ashtu siç janë rregullat, ajo thekson se EULEX do të angazhohet vetëm me kërkesë të policisë së Kosovës. /abcnews.al/