Temperaturat e larta, obstetër gjinekologia tek “Hygeia”: Shmangni ushqimet e kripura, merruni me not

schedule18:57 - 23 Qershor, 2021

schedule 18:57 - 23 Qershor, 2021

Në këto ditë të nxehta gratë shtatzëna duhet të shmangin orët kur temperaturat janë më të larta, të konsumojnë sa më tepër ujë dhe të merren me not. Këshilla vjen nga obstetër gjinekologia në spitalin “Hygeia” në Tiranë Radiola Hoxha.

“Gratë shtatzëna, sidomos ato në tremestrin e fundit e kanë më të vështirë se të tjerët për të toleruar të nxehtin. Së pari duhet të ruhen nga dielli, të evitojnë orët e nxehta e të vendosin kremrat mbrojtës ndaj diellit…Hidratimi është shumë i rëndësishëm, të mbajnë një shishe me ujë me vete. Të pinë 6-8 gota ujë në ditë. Shumë e mirë është ecja, joga në orët e freskëta.”

Në verë shpjegon mjekja gratë shtatzëna janë më të prirura për të pësuar ënjtje të gjymtyrëve prandaj ato duhet të evitojnë ushqimet e kripura.

“Vetë i nxehti, mbipesha që ato marrin dhe disa ndryshime  që ndodhin në fund të shtatzënisë tek enët e gjakut. Për të evituar këtë duhen të eliminojnë ushqimet e kripura dhe të mundohen që shpesh herë gjatë ditës të vendosin këmbët në pozicion horizontal, që të rregullohet qarkullimi i gjakut.”

Këshilla që vjen është një dietë e pasur me fruta dhe perime.

“Shumë e rëndësishme është dieta tek gratë shtatzëna gjatë verës. Duhet të kenë një dietë të pasur me fruta me perime, me proteina, me yndyra bimore. Është e rëndësishme që ushqimet të jenë të freskëta dhe të evitojnë ushqimet që prishen shpejt.”

Gjithashtu obstetër gjinekologia Radiola Hoxha këshillon të mos shmangen kontrollet tek specialisti për të parë ecurinë e shtatzënisë. /abcnews.al/