Vendimi për një çështje pronash i kushtoi jetën gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja. Në krye të detyrës, gjyqtari u ekzekutua me armë zjarri ndërsa ngjarja tronditëse ka autor 30-vjeçarin Elvis Shkëmbi.
Si pasojë e plagëve të marra, gjyqtari ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa të plagosur kanë mbetur babë e bir, Rakip e Ervis Kurtaj, palë në procesin gjyqësor.
ABC neës ka mësuar se autori ka mundur të fusë armën e zjarrit duke e fshehur në xhupin e tij, ndihmuar edhe nga fakti se detektorët kishin disa kohë që nuk funksionin në gjykatën e apelit.
Ndërkohë, autoritetet kanë mundur të zbardhin itinerarin e lëvizjeve të autorit, të plagosurve dhe gjyqtarit. Grupi i hetimit thotë se autori ka qenë brenda në sallë në seancën gjyqësore që ka nisur rreth orës 14:00 dhe ne perfundim gjyqtari ka qenë duke dhënë vendim në favor të të plagosurve, dhe jo të tij.
Pas disa minutash gjyqtari ka dalë në korridor ku është qëlluar nga autori dhe menjëherë armën ia ka dhënë rojës së sigurisë së gjykatës.
Pas krimit, autori ka dalë tek dera e gjykatës, ku I ka konfirmuar patrullës se ishte ai autori I vrasjes duke thënë ndër të tjera se ka qenë i detyruar ta kryejë për shkak se I është bërë padrejtësi.
Dy të plagosurit, palë në procesin gjyqësor, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Rakip Kurtaj ka plagë në kraharor dhe në këmbë, ndërsa i biri i tij Ervis Kurtaj ka plagë të lehta në dorë.
Forca të shumta policie arrestuan autorin e dyshuar Elvis Shkëmbi ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit. Një grup hetimor do të punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa në vendin e ngjarjes mbërritën edhe dy prokurorë të SPAK.
Gjyqtari Astrit Kalaja i cili u qëllua për vdekje këtë të hënë është emëruar si gjyqtar në vitin 1993. Kalaja ka shërbyer edhe si Zv.Kryetar i Gjykatës së Apelit Shkodër, gjyqtar pranë kësaj gjykate dhe gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Shkodër. Kalaja u konfrmua në detyrë në vitin 2019 duke kaluar procesin e Vettingut.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.
Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen./abcnews.al



