Disa persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në lagjen Logan Circle, në Uashington, pranë Shtëpisë së Bardhë. Policia ka ndërhyrë në disa pika të zonës.
Ende nuk ka një bilanc të saktë të personave të plagosur, por autoritetet konfirmuan se disa persona janë qëlluar në zonën mes Rrugës së 15-të dhe Rhode Island Avenue.
Sipas policisë, personi i dyshuar për të shtënat nuk është arrestuar ende. Ndërkohë, sipas NBC, në zonë janë dislokuar dhjetëra automjete policie dhe emergjence, si dhe efektivë të pajisur për ndërhyrje në situata të rrezikshme.
Zona ku po zhvillohet operacioni është një bllok i populluar, ku ndodhen një supermarket Whole Foods, disa restorante, një palestër dhe ndërtesa banimi.
Pas incidentit, policia e Uashingtonit ka lëshuar një urdhër emergjence për banorët e lagjeve përreth, duke u kërkuar të qëndrojnë brenda banesave dhe të shmangin daljet.
Autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.


