Të shpërfytyruar nga lufta, kirurgët nga SHBA dhe Kanadaja në ndihmë të ushtarëve ukrainas

schedule11:24 - 31 Mars, 2023

schedule 11:24 - 31 Mars, 2023

Një ekip kirurgësh nga SHBA dhe Kanadaja po rregullojnë fytyrat e lënduara të ushtarëve të Ukrainës Lesya Belinska është krenare për djalin e saj. Ajo qëndron pranë Roman Belinsky dhe e përqafon me një krah, shkruan CNN.

Fytyra e Belinsky-t është shpërfytyruar nga një dëmtim i rëndë në fushën e betejës. 42-vjeçari është liruar nga detyra së fundmi, por ende mban uniformën e ushtrisë.

“Jam krenare sepse nuk vrapove dhe nuk u fshehe. Jam krenare për djalin tim dhe të gjithë djemtë. Po të mos jetë për ta, rusët do të na shkatërronin,” shprehet nëna e tij.

Belinsky doli vullnetar për të luftuar në vitin 2020. Pas pushtimit nga Rusia në shkurt 2022, ishte një nga grupet e para që shkoi për të luftuar. Në maj, Belinsky dhe brigada e tij mbrojtën Huliaipole, në Ukrainën qendrore. Rusët i kundërshtuan me çdo gjë që kishin.

Atë natë, tanket ruse sulmuan nga të dyja krahët.

“Nuk e di se si mbijetova. Nuk e di se si i mbijetova bombardimeve. E gjithë fytyra më ishte mbuluar me gjak.”

“Kirurgët në terren më shpëtuan jetën,” thotë ai. Por ajo që pasoi ishin muaj të tërë operacionesh të dhimbshme dhe gjithnjë e më teknike në përpjekje për të rregulluar fytyrën e tij.

Edhe në një vend si Ukraina, me një sistem të sofistikuar mjekësor dhe kirurgë shumë të trajnuar, është dashur një ekip i specializuar amerikan dhe kanadez që të merret me disa prej rasteve më të vështira.

E hapur në vitin 1996 nga mjeku kanadez Peter Adamson, “Face the Future” punon në të gjithë globin dhe fokusin e ka në kirurgjinë e operacioneve plastike.

Puna e fondacionit përfshinte Rusinë deri vonë, por pas nisjes së luftës ata i kthyen sytë nga Ukraina dhe po ndihmojnë ushtarët që kanë marrë dëmtime të rënda në fytyrë gjatë luftës, raporton abcnews.al.

“Ne kemi nevojë për njerëz me shpirt humanitar dhe qëndrim të duhur. Nuk ka vend për njerëzit që janë prima donna, apo njerëzit që i kanë gjërat perfekte dhe ashtu siç duhet gjatë gjithë kohës,” tha Adamson, një nga kirurgët.

Në ditën e parë të konsultimeve në spitalin rajonal të Ivano-Frankivsk të hënën, kirurgët vlerësuan me radhë rreth 35 pacientë. Për Belinsky dhe të tjerët si ai, operacionet kanë të bëjnë shumë më tepër sesa thjesht trauma fizike të lëndimeve të tyre.

“Pamja e jashtme e një personi pasqyron shpirtin e tij të brendshëm. Nuk duhet të harrojmë kurrë se kjo nuk është diçka e kotë. Është pjesë e gjendjes tonë”, tha Adamson, themeluesi i Face the Future.

“Këta individë kanë pësuar lëndime shkatërruese dhe ne duhet t’i ndihmojmë ata dhe të bëjmë aq sa mundemi.”

Të nesërmen në mëngjes, Belinsky hyri në sallën e operacionit me pantallona të shkurtra dhe një bluzë. Duke folur para fillimit të operacionit, Belinsky tregoi nuk mund të flinte, pasi në mendje kishte të gjitha betejat që ai kishte kaluar, raporton abcnews.al.

Ai dëshiron të kthehet në vijën e parë, por e di se do të jetë vetëm një barrë, tha ai. Belinsky shtoi se shumë nga brigada e tij janë vrarë ose plagosur.

Por ai nuk ndihet me fat.

“Ne të gjithë jemi si një familje. E di, në një moment ndihesh në faj, që dhe ti nuk ke vdekur si ata,” tha ai.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!