Të rinjtë duke kërcyer në ambient të mbyllur, Beqaj: Ofenduese për ata që zbatojnë ligjin

schedule20:29 - 16 Janar, 2021

schedule 20:29 - 16 Janar, 2021

Mbajtja e maskës dhe distancës fizike kanë qenë “abc-ja” e rregullave anti-covid në këto kohë pandemie. Megjithatë ka vende ku këto masa nuk respektohen me vetëdije të plotë.

Kjo i ka tërhequr vëmendjen edhe ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili ka kritikuar disa të rinj që shihen duke kërcyer në një ambient të populluar konsiderueshëm.

Beqaj ka postuar në llogarinë e tij në Facebook një video ku duken të rinjtë që festojnë ndërsa shton se “cënimi i rregullave të caktuara për ruajtjen shëndetit nga kërcënimi i Sars-Cov-2 është moralisht i papranueshëm dhe ligjërisht i dënueshëm.”

Më tej, ish-ministri shton se “serbesllëku i shkeljes së ligjit në qendër të Tiranës është ofendues për këdo që zbaton ligjin.”

POSTIMI I PLOTË

“Ndjesë çdo vajze apo djali, gruaje apo burri, që mund t’i kem cënuar privatësinë duke bërë publike këto pamje se si janë argëtuar mbrëme. Por janë në moshë madhore dhe janë të vetdijshëm për shkallën e (mos)zbatimit të ligjit. Cënimi i rregullave të caktuara për ruajtjen shëndetit nga kërcënimi i Sars-Cov-2 është moralisht i papranueshëm dhe ligjërisht i dënueshëm. Për më tepër, “serbesllëku” i shkeljes së ligjit në qendër të Tiranës është ofendues për këdo që zbaton ligjin.” s.b/abcnews.al/