“Të kalojmë grupin”/ Ndihmësi i trajnerit Sylvinho, Zabaleta ka ëndrra të mëdha: Mund të surprizojmë ndonjë gjigand

schedule15:49 - 5 Maj, 2024

schedule 15:49 - 5 Maj, 2024

Një argjentinas i njohur dhe një karakter krejt original u shfaq në krah të trajnerit të ri të kombëtares shqiptare, Silvinjo.

Pablo Zabaleta, ish-yll i Argjentinës dhe Mançester Siti u prezantua si ndihmësi i brazilianit.

Ndoshta as ai nuk do ta kishte menduar se pas 16 muajsh, skuadra kuqezi e drejtuar prej tij, Silvinjos e Dorivës, por edhe Ervin Bulkut, do të ishte në pritje të finaleve të Europianit.

Në intervistën për Abc News, Zabaletën e pyesim sesi e vlerëson periudhën e kaluar në Shqipëri?

Zabaleta: Ndershmërisht të themi, ka qenë një mrekulli. Një periudhë fantastike në Shqipëri, shumë më e mirë sesa ne e prisnim kur fillimisht erdhëm këtu. Një vend I mrekullueshëm, me njerëz të mrekullueshëm, me një Federatë mjaft të mirë që po na jep mundësinë e madhe për të punuar siç duhet, me çdo gjë që na duhet. Armand Duka është gjithmonë shumë pranë nesh, na mbështet dhe na ndihmon me gjithçka që kemi nevojë. Po kështu, edhe njerëzit e tjerë në këtë ndërtesë. Ne jemi të rrethuar nga njerëz shumë pozitivë, nga profesionistë mjaft të mirë. Kur e sheh nga jashtë, mendon për lojtarët dhe për stafin teknik, por ka shumë më tepër njerëz të përfshirë që po punojnë fort për të sjellë sukses për vendin, për kombëtaren. Tashmë, ne jemi përqendruar tek Europiani, që do të jetë një përvojë shumë e bukur.

A ekzistonte besimi që në fillim se mund të kualifikoheshim?

Zabaleta: Kur erdhëm në Shqipëri me Silvinjon, ne I kishim ndjekur pak a shumë lojtarët me të cilët do të punonim dhe menduam se ata ishin lojtarë shumë të mirë. Ne ishim me shpresë se mund të bënim diçka të madhe për vendin. Nëse hedh një vështrim dhe analizon lojtarët, të gjithë luajnë në skuadra të rëndësishme. Një brez I ri po vjen, me lojtarë të rinj që po tregojnë potencial të madh. Ishin edhe 4-5 lojtarë më të vjetër që kanë qenë në kombëtare për shumë vjet, që ishin në Europian në 2016 në Francë. Menduam se ishte një “miks” mjaft I mirë dhe se ne mund të bënim një punë të mirë. Tashmë, ëndrra u realizua sepse u kualifikuam në Europian dhe ne jemi shumë krenarë. Po ashtu, jemi të lumtur që njerëzit u bënë të lumtur. Këtu në Tiranë ka shumë tifozë që vijnë tek Silvinjo, që e falënderojnë. Diçka e bukur. Ne padyshim që jemi shumë të kënaqur me këtë që kemi bërë, por kemi ende ambicie për të tepër. Kemi lojtarë që mund të përmirësohen më shumë. Duam të bëjmë diçka të veçantë, duam më shumë dhe shpresojmë që edhe lojtarët të jenë ende të uritur për më shumë sukses. Nuk duhet të ndihemi të kënaqur thjesht që shkuam në Europian. E dimë se kemi një grup të fortë, por duhet të tregojmë veten, dhe kjo nuk vlen vetëm për 3 ndeshjet e grupit në Europian apo për dy miqësoret. Kështu duhe të jetë për 4-5 vjet. Federata, lojtarët dhe krejt vendi duhet të shohin nga e ardhmja, sepse potenciali është I madh”.

Duke qenë argjentinas ju jeni ambicioz për shkak të traditës, por ne jemi në Shqipëri.

Zabaleta: Ne e njohim Argjentinën, e njohim Brazilin. Dakord, por edhe lojtarët shqiptarë janë të veçantë. Disa prej tyre kanë lindur në Shqipëri dhe janë larguar shumë të rinj. Disa të tjerë kanë lindur jashtë, por ata sërish kanë një lidhje të fortë me vendin e tyre, ndihen shumë krenarë që përfaqësojnë Shqipërinë sepse është atdheu I prindërve dhe paraardhësve të tyre. Ne e rrokim menjëherë këtë ndjenjë kur takojmë lojtarët. Mendoj se ky është mentaliteti dhe frymëzimi për të cilin kemi nevojë. Ne duhet ta kemi të qartë se nuk jemi skuadra më e fortë, ne e dimë që nuk jemi në 10 më të mirat e botës apo në 15 më të mirat, por mentaliteti brenda nesh është që t’i bëjmë krenarë njerëzit në këtë vend, dhe këtë nuk mund ta shkulësh nga shpirti ynë. Mendoj se kemi shpirtin e duhur për të konkurruar me më të mirët e ndoshta ta trondisim ndonjë prej tyre”.

Kur, gjatë eliminatoreve, e kuptuar se po shkonit në Europian?

Zabaleta: Mendoj se kjo ndodhi kur ne fituam ndaj Polonisë në shtëpi, apo ndaj Çekisë. Nuk jam shumë I qartë, por ato ishin ndeshje speciale. Gjithsesi, është shumë e lehtë ta thuash se “pas kësaj fitoreje ne e dinim se do të shkonim në Europian”, por lufta vazhdoi deri në fund. Ne humbëm ndeshjen e parë ndaj Polonisë, duke luajtur shumë mirë. Ne merituam të paktën një pikë dhe patëm raste në fund. Sidoqoftë, edhe pse ne humbëm, ne dhamë paraqitjen për të cilën kishim nevojë në vazhdim. Ne menduam se nëse do të vazhdonim në atë mënyrë, do të kishin shanse për kualifikim. Ne e kuptuam se mund të bënim diçka të veçantë në grup. Pastaj, gjithçka shkoi në mënyrë fantastike. Ne dolëm në vend të parë në grup, ne pësuam shumë pak gola. U shfaqën disa lojtarë, për të cilët askush nuk besonte se do të ishin vendimtarë për ne. Ata luajtën shumë mirë. Gjithçka ishte shumë mirë, mentaliteti, fryma e grupit, loja. Duhet të pranoj se ishim paksa nervozë në Moldavi në 10 minutat e fundit, kur ishim larg shtëpisë, dhe rrezikonim të pësonim golin e dytë. Gjithsesi, ne e fituam atë pikë që na dha kualifikimin në Europian, dhe pas ndeshjes erdhi një çlirim I vërtetë. Ne mundëm të thoshim se “ia dolëm”. Festimet ishin shumë të bukura bashkë me lojtarët dhe me shumë tifozë shqiptarë. Ishte një moment I madh. Kjo ishte hera e dytë për Shqipërinë që u kualifikua për në një turne të madh. Kjo na bëri shumë të lumtur dhe krenarë”.

Çfarë po bëni tani, pas përfundimit të miqësoreve?

Zabaleta: Në këtë periudhë ne po punojmë si staf dhe po analizojmë çdo aspekt të Europianit. Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje ndeshjet e lojtarëve në Itali, Kroaci. Këtë javë ndoqëm lojtarët në Spanjë. Ne kemi parë të gjitha ndeshjet e tyre, sepse ne duam të jemi të sigurt për gjithçka. Ndaj rivalëve që kemi në grup, ne kemi nevojë për ndeshjen e përsosur, taktikisht, teknikisht. Duhet të jemi në 100 për qind, madje edhe më shumë, 120 për qind. Nuk duhen gabime, duhet të jemi efikasë. Do të luajmë me 3 skuadrat ndoshta më të mira në Europian, që kanë shumë cilësi. Po ndjekim lojtarët për t’i analizuar deri në detajet më të vogla, që mund të bëjnë diferencën për ne. Duhet ta dimë gjendjen e lojtarëve kur të vijnë në grumbullim. Kemi një javë përgatitje në Austri, ku do të luajmë dy miqësore. Duam që të jemi shumë të përgatitur për Europianin”.

Çfarë mendoni për gjendjen aktuale të lojtarëve?

Zabaleta: Mendoj se ne duhet të kemi besim se mund t’ia dalim. Nëse nuk shkojmë në Europian me këtë mentalitet, ne nuk do të kemi asnjë shans. Ndoshta disa nga lojtarët nuk po luajnë sa duhet, herë luajnë, herë. Gjithsesi, kur ata të jenë në Europian, unë jam I sigurt se ata do të japin maksimumin. Ata e dinë se në stadiume, 70 për qind e tifozëve do të jenë shqiptarë. Nëse nuk frymëzohesh as nga një atmosferë e tillë, do të thotë se nuk ke lidhje me futbollin. Gjëja që na shqetëson më shumë është ana shëndetësore, ana fizike e lojtarëve. Ne lutemi që ata të mos kenë ndonjë dëmtim të rëndë, që t’i lejë jashtë Europianit. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Dakord, disa prej tyre luajnë rregullisht, disa të tjerë jo aq shumë, por mendoj se që të gjithë do të jenë ashtu siç duhet në aspektin fizik. Nuk shqetësohemi për këtë. Gjithsesi, siç themi ne në Argjentinë, ne ndezim një qiri dhe lutemi çdo ditë që asnjë prej tyre të mos dëmtohet dhe të mos mbetet jashtë Europianit”.

Gazetari i UEFA-s pak muaj më parë, kur intervistoi Silvinjon, mori në intervistë edhe Elseid Hysajn, si mbrojtësi që luan në pozicion të ngjashëm me atë që ka pasur dikur Silvinjo.

A ka ndonjë lojtar shqiptar që ju ngjan për mënyrën sesi luan?

Zabaleta: Mendoj se Hysaj dhe Balliu janë lojtarët që luajnë siç luaja unë kur isha futbollist. Ata janë mbrojtës të djathtë. Synojnë të mbështesin gjithmonë sulmin, mbrojnë fort, janë pozicionalë. Nuk e di, ndoshta unë e njoh këtë pozicion më mirë sesa të tjerët, sepse kam luajtur mbrojtës i djathtë. E kam më të lehtë kur flas me ta, dhe më duhet t’u jap ndonjë këshillë. Kjo më ndodh me Hysajn dhe Balliun sepse e njoh atë rol.

Deri ku arrijnë ëndrrat tuaja për Europianin?

Zabaleta: Së pari duhet të them se kam qenë shumë me fat që kam shijuar garat europiane, duke qenë një latinoamerikan. Kjo është një ëndërr, dhe për më shumë me Shqipërinë. Prej një viti e gjysmë jemi këtu, I njohim njerëzit, dhe e dimë që janë të emocionuar. Ëndrra jonë është që të kalojmë grupin. Kjo do të ishte një step përpara për futbollin shqiptar, një ngjarje historike për vendin. Tashmë, ju e keni përvojën në Francë 2016 kur fituat ndaj Rumanisë. Ju nuk u kualifikuat dot, por I kam parë ndeshjet që ishin të mira. Kam parë ndeshjen me Rumaninë, golin e Sadikut, kam folur me të për atë eksperiencë. Atje ka qenë Ervin Bulku si pjesë e stafit. Ne marrim informacion prej tyre. Mendoj se në një grup kaq të fortë do të ishte shumë mirë nëse ne do të fitonim një ndeshje, por ne duam që të bëjmë histori, dhe kjo ndodh nëse kualifikohemi për në raundin e dytë.

Keni gati 18 muaj në Shqipëri. Çfarë vendesh keni vizituar, çfarë ju ka pëlqyer më shumë?

Zabaleta: Ne jemi vazhdimisht në Tiranë. Në pjesën më të madhe të kohës jemi këtu. Një qytet I bukur. Çdo ditë ne dalim për vrap në park. Kemi qenë dy ditë në Vlorë, shkuam në Sarandë, Ksamil. Pastaj shkuam në Gjirokastër, një vend shumë I bukur. Të gjitha vendet kanë qenë fantastike. Nuk jam I habitur që kaq shumë turistë nga Europa dhe gjithë bota, po vijnë në Shqipëri, sepse këtu ka plazhe të bukur, vende të bukur turistikë, historikë. Është diçka mes të vjetrës dhe të resë. Ky vend është shumë I pasur në histori, për shkak të së kaluarës. Vendi im I preferuar është Tirana, sepse më pëlqen të vij në Federatë, në vendin e punës. Qyteti ka shumë restorante, vende të bukura. Na duhet të vizitojmë Veriun e Shqipërisë, qytetin e Shkodrës. Duhet të shkojmë edhe në Berat apo Korçë. Gjithsesi, ne jemi këtu për të punuar. Shpresoj që pas Europianit ne do të kemi më shumë kohë për të vizituar vendin”.

Çfarë ju pëlqen më shumë tek njerëzit dhe tek gjërat që Shqipëria mund të ofrojë?

Zabaleta: Më pëlqen miqësia e njerëzve. Ju jeni njerëz me zemër të madhe, sepse ju jeni mikpritës për njerëzit që vijnë nga jashtë. Ju I bëni ata që të ndihen si në shtëpinë e tyre. Kjo ndodh shumë shpejt. Ju jeni shumë të hapur. Ju të ftoni për kafe, madje ndodh edhe tepër shpesh. Pas gjysmë ore, hajde të pijmë kafe, të flasim. Jo, ne duhet të vazhdojmë punën, do të kemi kohë më vonë për kafe. Por, Shqipëria kështu e ka, jeni shumë miqësorë. Pushimi nuk është 5 minuta, ai shkon gjysmë ore. Shpesh herë është për të qeshur. Ndodh që njerëzit janë të disiplinuar, të bëjnë atë punë që kërkohet, por ndodh që janë të shkujdesur. Unë jam amerikanojugor. Unë ndihem si në shtëpi, pasi ne jemi pak a shumë njësoj. Këtu ka njerëz shumë të këndshëm”.

Çfarë gjërash ju mungojnë këtu në Shqipëri, pasi Shqipëria nuk mund t’i ofrojë të gjitha?

Zabaleta: Kur lashë futbollin, unë nisa të jetoj në Barcelonë, në Spanjë. Atje moti dhe ushqimi janë mjaft të mira, pak a shumë si këtu. Familja është e vetmja gjë që me të vërtetë më mungon. Unë e takoj vetëm një herë në dy-tre javë, por ata nuk vijnë dot këtu. Fëmijët e mi janë në shkollë, ata kanë jetën e tyre. Gruaja ime ka qenë dy herë këtu. Ajo ka parë Tiranën, vendi është I ngjashëm me Spanjën. Unë do të thoja se më mungon edhe një gjë tjetër dhe kërkoj një pije tipike argjentinase. Ne pimë një pije që quhet “mate”. Mund të kesh parë Mesin apo ndonjë tjetër që e pi atë. Unë nuk e gjej dot këtë pije në supermarketet e Tiranës. Më duhet ta sjell nga Spanja, vendi i vetëm ku mund ta gjej.

Ju cilësoheni si personi më gazmor, më  veçantë nga stafi i Silvinjos.

Zabaleta: Unë mendoj se secili prej nesh ka një rol në këtë staf. Silvinjo është trajneri I parë, dhe ka një kufi që ai nuk mund ta shkelë. Ai nuk mund të flasë me lojtarët si shoh, sepse duhet të marrë vendime. Ai merr gjithë përgjegjësinë si kryetrajner. Është e vështirë që ai të flasë me të gjithë. Unë dhe Doriva jemi ndihmësit dhe ndodh që kemi rolin për të folur me lojtarët dhe për t’i dhënë informacionin trajnerit. Silvinjo është gjithmonë i përqendruar tek puna, tek taktikat. Ne flasim me lojtarët dhe me njerëzit në Federatë. Gjithsesi, Silvinjo është shumë pozitiv. Kur del nga roli i punës, ai është gjithmonë I qeshur, flet me njerëzit, por ndryshon kur jemi në punë. Duhet të jemi të përgjegjshëm dhe ta ndihmojmë të përqendrohet tek puna.

A e keni menduar veten si trajner i parë në të ardhmen?

Zabaleta: Kur merresh me trajnimin, njerëzit mendojnë se kjo ka të bëjë me taktikën, gjë që natyrisht është e rëndësishme. Gjithsesi, kryesore është menaxhimi I lojtarëve. Në kombëtare është pak më ndryshe, sepse nuk punon çdo ditë me lojtarët. Më shumë je në zyrë, duke analizuar ndeshjet. Lojtarët I kemi maksimumi 10 ditë. Në klube punon çdo ditë, ke më shumë ndeshje, 50-60 në sezon. Së pari duhet të kuptosh kulturën e lojtarëve me të cilët punon, kulturën e vendit. Nuk mund të vish këtu dhe të pretendosh të punosh sikur je në Gjermani. Është ndryshe. Duhet të jesh elastik, të jesh afër lojtarëve të kuptosh gjithçka. Po ashtu duhet të jemi seriozë, të përkushtuar, të punojmë çdo ditë. Ndryshe, ta harrojmë që mund të fitojmë. Pa mentalitetin e duhur nuk fiton. Unë po mësoj. Unë jam 10 vjet më Ii ri se Silvinjo. Ai më dha mundësinë të punoj me të. Edhe pse njihemi prej shumë kohësh, është hera e parë që punojmë bashkë. Po mësoj nga Doriva, nga Silvinjo, nga Bulku, nga gjithë njerëzit në staf. Ky është një proces mësimi për mua. Do të shoh në të ardhmen kur të shkoj në kurse kualifikimi, diçka që më pëlqen. Gjithsesi, duhet ta provosh atë që të pëlqen, sepse ndryshe nuk mund të mësosh. Për momentin, duhet të them se jam mirë në pozicionin tim dhe le të shohim në të ardhmen”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!