E dimë se këtë rival mund ta thyejmë. Ja kemi dalë të fitojmë ndaj Ukrainës, madje në ndeshje zyrtare, e sot e kemi miqësore, ndonëse bilanci mbetet thellësisht në favor të kundërshtarëve.
Shqipëria do të luajë sot duelin në Valencia të Spanjës vetëm pak ditë pas zhgënjimit në Poloni, ku u eliminua nga vazhdimi i mëtejshëm në plej ofin e Kupës së Botës.
Gjithsesi, siç deklaroi në konferencë për shtyp trajneri Silvinjo, jeta vazhdon, dhe nuk mund të mbahet koka prapa. Kuqezinjtë do të përpiqen sot të japin më të mirët në sfidën që nis në orën 20:45, ndonëse mungesa ka e madje mjaft.
Tekniku brazilian ka mbetur pa shërbimet e Ajetit, Ismajlit e Muçit që u dëmtuan, si dhe të Ramadanit që mori leje për të qenë i pranishëm në lindjen e fëmijës së tij. Njeriu i stolit mund të ketë ndoshta herën e fundit që drejton ekipin tonë përfaqësues, ndërsa formacionin e bëri të qartë vetëm pak orë para duelit.
Gjithsesi, ky mbetet sekret i brendshëm, edhe pse parashikimet janë për disa ndryshime në formacion. Titullar pritet Anis Mehmeti në fazën offensive, me Brojën titullar në qendër të sulmit, dhe me Hoxhën që mbetet në fushë. Në portë do të jetë Strakosha, në mbrojtje do të jetë Pilo që nga minuta e parë, ndërsa në qendër të repartit, në krah të Gjimshitit priten Caka ose Pllana, që të dy të rinj.
Mesfusha mesa duket është e vetmja që nuk ndryshon me treshen Laçi-Asllani-Shehu. Ukraina gjithashtu është përgatitur për fitore. Edhe trajneri Rebrov besohet se do të bëjë ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjen e humbur në plej ofin e Kupës së Botës kundër Suedisë. Në fushë mund të jenë lojtarë si Riznik apo Sarapia si dhe Ponomarenko. Për teknikun ukrainas, Rebrov, ky do të jetë vërtet dueli I fundit në stolin e kombëtares./abcnews.al


