Të huajt të cilët vizitojnë Vlorën nuk janë të interesuar vetëm për detin, ata tregojnë kureshtje dhe për historinë e vendit.
Një grup studentësh dhe studiuesish nga shtete të ndryshme vizituan qytetin për të mësuar mbi Holokaustin dhe rolin që luajti Shqipëria në mbrojtjen e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore.
Vizita nisi në zonën historike të qytetit ku kryetarja e Bashkisë iu tregoi se shumë shpejt Vlora do të ketë dhe një muze hebre I cili do të shërbejë për ruajtjen dhe promovimin e historisë
Gjatë vizitës, Anna Kohen prezantoi para grupit edhe një anëtar të familjes Lazaj nga Trevllazëri, familje e cila strehoi dhe shpëtoi hebrenj gjatë pushtimit nazist.
Histori që u soll si shembull i traditës shqiptare, besës dhe solidaritetit njerëzor.
Vizitorët vlerësuan ruajtjen e kulturës historike ndër breza.
“Jam këtu me një grup studentësh të nivelit master për të mësuar më shumë rreth Holokaustit dhe jetës së hebrenjve. Shqipëria ka një histori të shkëlqyer në këtë aspekt”
“Moti është i mrekullueshëm dhe njerëzit janë shumë miqësorë. Që tani po mendoj se kur do të rikthehem sërish. Jemi këtu për të kujtuar dhe nderuar mikpritjen që shqiptarët u treguan hebrenjve gjatë periudhës më të errët të historisë së tyre”
Vizita vjen në kuadër të një turi studimor mbi Holokaustin dhe historinë e hebrenjve në Ballkan të grupit të studentëve dhe studiuesve nga programe universitare të studimeve mbi Holokaustin dhe Gjenocidin nga Argjentina, Venezuela, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj./abcnews.al


