Kryeministri Edi Rama theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të ecin krah për krah. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve në Prishtinë, kreu i qeverisë citoi Ibrahim Rugovën, i cili përmend objektivat e përbashkëta të dy vendeve shqiptare dhe marrëdhëniet me SHBA.
Sipas Ramës, Shqipëria po bën hapa të shpejtë drejt familjes evropiane, ndërsa shtoi se edhe Kosova duhet të bëjë të njëjtën gjë. Kryeministri u shpreh gjithashtu se shqiptarët do të bëheshin më krenar nëse do të ecnim krah për krah dhe se Kosova do të ecte nën ritmet e atyre që i dhanë pavarësinë.
“20 vjet më parë, në 2004, presidenti Ibrahim Rugova tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se “objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë janë integrimi në BE në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA”. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi sot janë në rrugë progresi, populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës e botës dhe kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe evropiane. Këto fjalë kaq të thjeshta janë gjithçka. Që në fakt na duhet dhe na mjafton për të mos e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit përfundimtar të familjen evropiane të të dy shteteve tona dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses vetëm si trimi i mirë me shokë shumë. Por ndërkohë që Shqipëria ecën me hapa të shpejtë, të pandalshëm në udhëtimin e saj për tu bashkuar me Evropën, parafytyrojeni sesa më krenar do t’i bënit gjithë shqiptarët, se çfarë vlere më të madhe do t’i jepnim emrit të shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë kudo që jetojnë sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën, sikur edhe Kosova të shkëlqente njësoj ndërkombëtarisht duke hedhur vallen e kësaj kohe rreth shqiptarëve në një ritëm me pagëzuesit e lirisë dhe bekuesit e pavarësisë së saj, sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit si shëmbëlltyrë dinamike dhe mishërim i vlerave evropiane në këtë rajon ku jemi i vetmi komb që flet një gjuhë por aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit.“, u shpreh Rama./abcnews.al