Të djathtët serbë protestojnë me simbole ruse kundër marrëveshjes me Kosovën

schedule16:44 - 24 Mars, 2023

schedule 16:44 - 24 Mars, 2023

Më 24 mars, mbështetësit e katër partive parlamentare të opozitës së djathtë bllokuan trafikun për një orë para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në qendër të Beogradit, duke kërkuar refuzimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Lëvizja Dveri, Zavetnici (Të betuarit), Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë kërkuan dorëheqjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për atë që ata e quajtën “tradhti” dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Pjesëmarrësit e tubimit mbanin pankartat “Jo kapitullimit” dhe “Vuçiq dorëheqje”, ndërkaq disa kishin veshur edhe bluza me shkronjën Z, simbol i agresionit rus kundër Ukrainës, shkruan REL.

Në protestë ishte edhe Radomir Poçuça, i cili si mercenar nga Serbia, në vitin 2014, luftoi me separatistët pro-rusë në Ukrainë.

Në vitin 2016, Poçuça lidhi marrëveshje me Gjykatën e Lartë në Beograd dhe u dënua me një vit e gjysmë burg, si dhe pesë vjet me kusht. Sot ai është anëtar i partisë së djathtë parlamentare Zavetnici.

Lëvizja Dveri, Zavetnici, Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë njoftuan në protestë se edhe në qytete të tjera “nëpër Serbi” kanë organizuar tubime dhe “bllokim” të selive të institucioneve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!