Seanca parlamentare e të enjtes i përball fillimisht deputetët me fotot e fëmijëve me aftësi ndryshe. Janë vendosur në hyrje në Kuvendit për t’i kërkuar atyre që t’i përkrahin dhe për t’i integruar sa më shumë në shoqëri.
Përballja e dytë është tarifa e vendosur për Rrugën e Kombit. Kundërshtimet e opozitës nuk janë korrekte sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë sepse janë ata vetë që e kanë miratuar. Por ia sqaron ish-kryeministri Berisha se ai vendim nuk do të prodhonte këtë zgjidhje që ofrojnë sot socialistët.
Sali Berisha: “Është e vërtetë që në vitin 2011, qeveria e kryesuar nga unë dhe ministrin e ndjerë Sokol Olldashi bëmë të gjitha studimet. Asgjë të fshehtë nuk ka këtu. Por është po kaq e vërtetë se pas studimit, u vendos që taksa të mos vihet.”
Për kryeministrin aktual, llogaritë i kanë bërë shumë mirë nëse do të riferoheshin kostove të mirëmbajtjes.
Edi Rama: “Përveç asaj që ka kushtuar e që është një mal me para, – e dimë historinë, i dimë dhe të pandehurit, janë dhe këtu në sallë, dimë edhe shumë e shumë bëma të tjera, – kjo është një rrugë e papërfunduar, është një rrugë e bërë pa studimet e nevojshëm gjeologjike”.
Lulzim Basha: “Vetëm me taksën e rritur, ta quajmë taksa “Rama”, meqë zotrote e ke vënë dhe zotrote e vjel, ti u merr shqiptarëve, po të marrim një llogari minimale të konsumit prej 500 mijë tonësh, 120 milionë dollarë në vit vetëm me taksën e rritur.”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i sqaron se shqiptarët kanë paguar dhe vazhdojnë paguajnë për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri dhe paratë për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit mund të dalin nga fitimi i qarkullimit që kanë në këtë aks.
Edi Rama: “Nuk ka 1000 rrugë për rrugën, vetëm 2 rrugë ka: ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë taksapaguesit, ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë përdoruesit e rrugëve në fjalë. ”
Lulzim Basha: “Çfarë tha dy minuta përpara i papërgjegjshmi?
Të vërtetën për herë të parë e pranoi. Në botë për mirëmbajtjen paguajnë ose taksapaguesit ose përdoruesit. Po na thuaj pak me këtë sistem që ke shpikur tani pse paguajnë edhe taksapaguesit edhe përdoruesit?
Pse vazhdon t’u marrësh shqiptarëve 240 lekë për litër karburanti dhe pastaj u vendos edhe tarifë për rrugët në të cilat udhëtojnë?
Sapo e the vetë, o njëra o tjera.”
Qeveria ka menduar edhe për përdoruesit më të shpeshtë të kësaj rruge, por që përsëri për demokratët nuk është zgjidhja e duhur.
Edi Rama: “Ne nuk ju ndalojmë dot që të thyeni qafën për aty ku jeni nisur, – dhe ajo që duhet ta dinë njerëzit është se janë 120 mijë euro që kompania i jep pushtetit vendor për t’i përdorur për të lehtësuar barrën, duke e hequr plotësisht nga të gjithë ata që do përdorin transportin publik apo privat me autobusë, apo me furgonë, pra, ata nuk kanë asnjë tarifë për të paguar dhe nuk ka asnjë barrë mbi këdo që do përdorë këtë transport.”
Lulzim Basha: “120 mijë euro për pushtetin vendor. Me kë tallesh ti? Çfarë do të thotë 120 mijë euro për pushtetin vendor? Do të thotë që ti të vendosësh kuotën se sa kuksianë e mirëditorë e hasianë e tropojanë e kurbinas, lezhianë e shkodranë, të ecin në rrugë? Do të vendosësh kuotën ti? Ça do bësh atë që do vendosje kur ishe kryetar bashkie, derën tek Zogu i Zi që të mos hynin pa paguar?”/abcnews.al