Taksa për blerjet online jashtë vendit penalizon shqiptarët, favorizohen bizneset

schedule18:48 - 13 Qershor, 2020

schedule 18:48 - 13 Qershor, 2020

Qytetarët shqiptarë detyrohen të paguajnë kosto më të lartë për blerjet online që prej një viti. Qeveria vendosi në 2019 që të taksonte çdo blerje mbi 22 euro  duke e ulur ndjeshëm pragun nga 150 euro që ishte më parë.

Vendimi i marrë prej qeverisë  parashikon që nëse bëhet blerje mbi 22 euro, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH, dhe 2.4% taksë doganore).

Ky vendim rriti barrën për qytetarët vetëm për të mbështetur shitjet në dyqane të cilat favorizonin disa biznese. Qytetarët shprehen se taksimi i ka penalizuar dhe shpesh herë detyrohen që t’i blejnë produktet në 22 euro ose në marrëveshje me kompanitë i deklarojnë vlerat më të ulëta.

Një qytetare shprehet:

Të gjitha blerjet online duhet të jenë free, pa taksa. Prandaj edhe sistemi është më praktik se ndryshe shkonin të gjithë fizikisht e bënin blerje. Në fakt unë të gjitha blerjet i kam pasur nën vlerën 22 euro, kështu që nuk kam qenë ndonjë herë pjesë e kësaj skeme. Patjetër që njerëzit duhet të favorizohen.”

Pranvera Rrapushi drejtuese e një prej platformave online të shitjeve në vend shprehet se taksa është favorizuese për shitjet në Shqipëri por është penalizuese për qytetarët pasi nuk mund të blejnë produktet për të cilat kanë nevojë.

Ajo tregon:

“Nëse unë do ta shihja si sipërmarrëse, për të zhvilluar biznesin vendas është ok, por për blerësit është një penalitet, pasi ka produkte që jo të gjitha disponohen në Shqipëri, dhe është një lloj pengese.”

Shqipëria rezulton të jetë vendi me nivelin më të ulët të blerjeve online ne BE dhe në Ballkan . Raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për vitin 2019  thekson se vetëm 7% e popullsisë shqiptare e përdor internetin për të blerë diçka . /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!