Nga data një prill qytetarët do të paguajnë në faturën e energjisë elektrike edhe taksën e pronës. Ministri i Ekonomisë dhe Financave ka dhënë detaje të tarifave për banesat para dhe pas viteve 1990, duke argumemtuar se janë shuma të përballueshme për familjet shqiptare.
Taksa e pronës, do të nisë zbatimin e saj nga 1 prilli i këtij viti, por për opozitën në komisionin e ekonomisë është ende herët pasi pushteti vendor nuk është gati për mbledhjen e kësaj takse që është rritur disa herë. Kreu i financave e kundërshtoi.
Ministri Ahmetaj tha se në këtë projekt do të përjashtohen banesat sociale, pensionistët që jetojnë vetëm, strukturat akomoduese me status special.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është vlerësuar nga Ministria e Financave si agjenti më i përshtatshëm për mbledhjen e taksës së pronës që do të aplikohet pas pak ditësh.
Formula e re e taksimit të pronës është një projekt tre vjeçar me Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar e cila do të asistojë palën shqiptare.
Në Komisionin e Ekonomisë, është diskutuar edhe për futjen në skemën e TVSH të bizneseve të vogla duke nisur nga 1 prilli, kreu i financave shqiptare tha se kjo do të japë kontribut në aksionin antiinformalitet./abcnews.al