Tabaku: Goditja e biznesit të vogël dhe rritja e taksave thellojnë varfërinë

schedule14:40 - 5 Prill, 2019

schedule 14:40 - 5 Prill, 2019

Gjetjet e raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për biznesin e vogël në Shqipëri, si dhe ai i Bankës Botërore, konfirmojnë situatën shqetësuese ekonomike të shqiptarëve.

Ky është mendimi i ish-deputetes demokrate Jorida Tabaku, e cila në një intervistë për ABC News, thekson se goditja e biznesit të vogël dhe rritja e taksave thellojnë varfërinë.

“Përfshirja e bizneseve me të ardhura mbi 2 mln, në TVSH, ka sjellë uljen e të ardhurave nga TVSH. Dha një efekt të menjëhershëm në rritjen e kostove të biznesit të vogël. Me fund të 2018 janë mbyllur 78 mijë biznese të vogla, por është përshpejtuar ritmi i mbylljes pas 1 prillit 2018, kur hyri në fuqi TVSH për biznesin e vogël”.

Më i godituri sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i mbështetur edhe nga ai i Bankës Botërore mbetet biznesi i vogël.

Dhënia e disa favoreve fiskale që diskriminon biznesin e vogël dhe vendas, produktin e biznesit të vogël e paguan me 20% TVSH, ndërsa tek bizneset e mëdha me 6%. Kjo është shkatërruese për biznesin. Qeveria duhet të heqë dorë nga kjo praktikë që dëmton më të voglin”.

Kjo skemë ka dështuar edhe në gjenerimin e më shumë të ardhurave sa i përket administratës tatimore, thekson Tabaku.

“Futja e biznesit të vogël nuk ka ndikuar, përkundrazi  ka rezultuar në të ardhura më të ulta dhe konsumi në përgjithësi ka rënë. Të njëjtat shifra vijojnë të jenë edhe për dy muajt e parë të vitit”.

Një element tjetër i përmendur në raportin është ai i rimbursimit të TVSH-së ndaj bizneseve, që sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar arrin shifrën 120 milionë euro.

Në raportin e KLSH detyrimet e prapambetura arrijnë në 190 milion dollarë”, thotë Tabaku.

“Kjo ul besueshmërinë dhe integritetin në sistemin tatimor” sipas vlerësimit të FMN-së. Njëkohësisht është Banka Botërore ajo që vëren se biznesi i madh në Shqipëri mbulon vetëm 42% të tregut.

Kur në rajon është mbi 55%, rritja e taksave, ngushtimi i hapësirave, mungesa e konkurencës, tenderët në një dorë njerëzish kanë bërë që biznesi të mos jetë punëdhënësi më i madh”.

Janë këto shifra ato që tregojnë realitetin e shqiptarëve, thekson Tabaku.

“Raporti thotë se 35% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë. Tatohet puna më shumë se në gjithë rajonin. Në Shqipëri janë 52% e forcës së punës që janë të papunë afatgjatë”.

Arsye që sipas Jorida Tabakut kanë sjellë edhe rishikimin e rritjes ekonomike nga Banka Botërore, e cila parashikoi uljen nga 4.2% në 2018-ën, në 3.7 në 2020-ën.

“…dhe energjia eletrike s’do ketë ndikimin që ka në rritjen ekonomike”.

Për këtë thekson propozimin e demokratëve me vendosjen e pragut të TVSH-së për bizneset në 14 milion si mundësi reale për rritje ekonomike, punësimi dhe një rritje të të ardhurave si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto i cili sot, sipas Tabakut ka pësuar rritje vetëm për shkak të taksave shtesë që kanë paguar shqiptarët në këto 5 vjet, vlerë që kap shifrën 1.9 miliard euro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!