Sulmi terrorist me 130 viktima, Franca jep dënimin e pestë me burg të përjetshëm në historinë e saj

schedule03:45 - 30 Qershor, 2022

schedule 03:45 - 30 Qershor, 2022

Një gjykatë franceze dha të mërkurën vendime fajësie për të 20 burrat e gjykuar për vrasjen e 130 personave në vitin 2015 në një sulmtë koordinuar me armë dhe bomba nga persona të armatosur në Paris.

I dyshuari kryesor Salah Abdeslam u shpall fajtor për akuzat për terrorizëm dhe vrasje.

Francezi 32-vjeçar, i lindur në Belgjikë, i vetmi anëtar i mbijetuar i grupit që kreu sulmet e 13 nëntorit 2015, u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi të parakohshëm, një dënim i dhënë vetëm katër herë më parë në Francë.

Salla e muzikës Bataclan, gjashtë bare dhe restorante dhe perimetri i stadiumit sportiv Stade de France ishin në shënjestër të sulmeve disa orëshe në të gjithë Parisin që tronditën Francën dhe lanë plagë të thella në psikikën e vendit.

Abdeslami kishte thënë në fillim të gjyqit se ai ishte një “ushtar” i Shtetit Islamik, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Ai më vonë u kërkoi falje viktimave dhe tha gjatë gjyqit se kishte zgjedhur në momentin e fundit të mos shpërthente jelekun e tij shpërthyes. Por, në bazë të hetimeve dhe seancave dëgjimore, gjykata ka vendosur të kundërtën.

“Gjykata konsideroi se jeleku shpërthyes nuk funksiononte. Abdeslam është “fajtor sepse është anëtar i një rrjeti terrorist”, tha gjykatësi. /abcnews.al