Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ka publikuar pamje nga sulmi ndaj Komisariati Nr. 3, pas protestës që u mbajt mbrëmë, duke e cilësuar ngjarjen si një shembull të qartë të mënyrës se si dezinformimi mund të çojë në akte dhune.
Sipas Lamallarit, cikli i dhunës nisi me një deklaratë të papërgjegjshme të bërë në orët e para të ditës, ku u fol për “prova dhune dhe gjaku”, deklaratë që më pas u ndryshua.
Ai pretendon se situata u përshkallëzua më tej nga reagime të ndryshme në rrjetet sociale dhe në diskursin publik, të cilat, sipas tij, ushqyen tensionin dhe nxitën dhunën.
Në reagimin e tij, Lamallari shprehet se mesazhet e përhapura u shumëfishuan nga profile të krijuara rishtazi në rrjetet sociale dhe u favorizuan nga algoritmet, ndërsa u shoqëruan me simbolika që ai i cilësoi si të papranueshme për një shoqëri që synon integrimin evropian.
“Një shembull konkret i ciklit të dhunës që nis me urrejtjen e nxitur nga një deklaratë e papërgjegjshme në mëngjes ‘për prova dhune dhe gjaku’ por që u ndryshua në drekë, iu hodh ‘benzinë’ pasdite nga moralistët, kritikët gjithollogë dhe delirantët revolucionarë si ushqim për rrjetin përplot me profile të hapura rishtazi dhe shumëfishuar nga zyra gjetkë, ndihmuar nga algoritmi dhe shoqëruar në fund me një pjatë të helmatisur simbolikash ataviste të një kulture që nuk ka vend në Shqipërinë evropiane.
Jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës kombëtare #Shqipëria2030 dhe asgjë nuk na ndal!”, thotë ai.



